Please enter at least 3 characters.

E ardhmja e Viniciusit merr kthesë të papritur, bisedimet me Real Madridin ndalen

E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi mbetet e paqartë, pasi bisedimet për rinovimin e kontratës së tij janë ndalur përkohësisht dhe nuk pritet të rifillojnë deri pas përfundimit të Kupës së Botës.

Sulmuesi brazilian, i cili ka kontratë me klubin madrilen deri në verën e vitit 2027, ka shprehur disa herë dëshirën për të vazhduar karrierën në “Santiago Bernabeu”, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë marrëveshje konkrete për zgjatjen e bashkëpunimit.

Sipas raportimeve të gazetës AS, procesi është pezulluar për disa arsye. Njëra prej tyre lidhet me zgjedhjet që po zhvillohen në klub, të cilat mund të sjellin ndryshime në drejtuesit që do të udhëheqin negociatat. Arsyeja tjetër është fokusi i plotë i Viniciusit te Kupa e Botës.

Paraqitjet e brazilianit në turneun botëror mund të kenë ndikim të madh në vazhdimin e bisedimeve. Nëse ai zhvillon një kompeticion të suksesshëm, do të kthehet në Madrid me më shumë argumente për të kërkuar përmirësim të kushteve financiare. Në rast të kundërt, pozita negociuese e klubit mund të forcohet.

Raporti shton se Vinicius ka hequr dorë nga kërkesa fillestare për një pagë prej 30 milionë eurosh në sezon, një shifër që konsiderohej e papranueshme nga drejtuesit e Real Madridit.

Megjithatë, objektivi i tij mbetet të ketë të njëjtin trajtim financiar si Kylian Mbappe.

Aktualisht, të dy futbollistët përfitojnë rreth 15 milionë euro neto në sezon, por francezi vazhdon të marrë edhe bonusin e madh të nënshkrimit që iu garantua kur iu bashkua klubit madrilen. /Telegrafi/