Please enter at least 3 characters.

Dyshohet se kërcënoi zyrtarin policor, prokuroria thotë se do të sigurohen pamjet nga Kuvendi

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me kërcënimin e dyshuar ndaj një zyrtari policor, pas postimeve të publikuara në rrjetet sociale.

Sipas njoftimit, Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka ngarkuar Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Në kuadër të hetimeve, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të sigurojë dhe administrojë pamjet e kamerave të sigurisë në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me qëllim të mbledhjes së provave relevante.

“Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për sigurimin dhe administrimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me qëllim të mbledhjes dhe sigurimit të provave relevante lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe sigurimin e provave, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.