Dyshohet se e mbyti nënën me grushte e shqelma në Restelicë, aktakuzë ndaj të pandehurit
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj F.B., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 20 janar 2026, në fshatin Restelicë të Komunës së Dragashit, pas një fjalosjeje mes të pandehurit dhe nënës së tij, T.B.
Prokuroria pretendon se F.B. e ka sulmuar fizikisht nënën e tij, duke e goditur me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e lëndimeve të rënda, viktima ka pësuar shok traumatik dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Pas ngjarjes, sipas aktakuzës, i pandehuri e ka vendosur trupin e nënës së tij në një divan dhe e ka mbuluar me batanije. Trupi më pas është gjetur nga të afërmit e viktimës, të cilët kishin shkuar në shtëpi pasi ishin shqetësuar për gjendjen e saj.
Gjatë procedurës është kryer edhe ekzaminimi psikiatrik dhe psikologjik hospitalor në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.
Sipas rezultateve të këtij ekzaminimi, në momentin e kryerjes së veprës, aftësia e të pandehurit për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e tij ka qenë e zvogëluar në shkallë jo esenciale.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, F.B. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën për të cilën akuzohet. /Telegrafi/


