Please enter at least 3 characters.

Dyshohet për rast me Ebolë në Itali, pacienti në spital - Meloni kërkon kontrolle kufitare

Protokollet janë aktivizuar për një rast të dyshuar me Ebola në Cagliari, Sardenjë.

Një person u dërgua në spitalin Santissima Trinità, në njësinë e sëmundjeve infektive, pasi u mor nga shtëpia sepse po tregonte simptoma në përputhje me virusin, transmeton Telegrafi.

Policia dhe zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, ndërsa mjekët dhe infermierët me kostume mbrojtëse dhe maska hynë në shtëpi dhe morën pacientin, i cili më pas u dërgua në spital.

E përditshmja lokale La Nuova Sardegna raporton se personi besohet të jetë një individ që ishte kthyer së fundmi nga një udhëtim jashtë vendit, megjithëse kombësia e tij nuk dihet.

Në ditët e fundit, Italia ka dërguar ekspertë nga spitali Spallanzani në Republikën Demokratike të Kongos.

Kryeministrja Giorgia Meloni ka propozuar gjithashtu që menaxhimi i kufijve të përfshihet në agjendën e takimit të Këshillit Evropian të 18-19 qershorit 2026.

Përpara takimit, qeveria në Romë ka kërkuar të çojë përpara koordinimin me një videokonferencë të ministrave të shëndetësisë javën e ardhshme dhe në Këshillin EPSCO më 16 qershor, me qëllim përcaktimin e prioriteteve operacionale.

Jean Kaseya, drejtor i përgjithshëm i Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), i tha Financial Times të dielën se që nga 30 maji kishte 263 raste të konfirmuara të Ebolës dhe 43 vdekje të konfirmuara në Republikën Demokratike të Kongos (DRC) dhe në Ugandë, ndërsa rastet e dyshuara tejkalojnë 1,100.

Eksperti theksoi se epidemia po prek një rajon që është "nën presion" dhe paralajmëroi se "rreziku i përhapjes rajonale është real".

Kaseya tha më pas se ekziston "një përgjigje afrikane" që po merr formë me shpejtësi dhe se partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të luajnë një rol thelbësor. /Telegrafi/