Dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Policia thotë se aksioni po zhvillohet në tri komuna
Policia e Kosovës ka nisur bastisjet në objektin në të cilin ndodhen disa agjenci shtetërore, përfshirë Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Agjencinë Shtetërore të Arkivave dhe Institutin për Krime të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Policia e Kosovës, zyra për media ka njoftuar se aksioni po zhvillohet në tri komuna, dhe lidhet me dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
"Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, është duke realizuar një operacion policor i cili përfshin tri komuna: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtime. Operacioni policor po realizohet mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë", thuhet në përgjigjen e tyre për Telegrafin.
Edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala tha se aksioni është nisur pasi kanë marrë urdhër nga gjykata.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, sipas urdhëresës nga Gjykata ka marrë aksion për bastisje dhe kontroll në institucionin e arkivës dhe institucionin kadastral të Republikës së Kosovës për veprën penale “ Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 te Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha ajo. /Telegrafi/


