Dyshime për manipulim të votave edhe në Gjilan, Prokuroria nis intervistimin e të dyshuarve
Ka nisur intervistimi lidhur me dyshimet për manipulim të rezultateve zgjedhore edhe në rajonin e Gjilanit.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu.
Ai ka bërë të ditur se organet e drejtësisë janë duke vepruar në kuadër të hetimeve dhe se tashmë janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore, përfshirë intervistimin e personave të dyshuar për këtë çështje.
“Kanë filluar intervistat lidhur me manipulimet e rezultateve zgjedhore në regjionin e Gjilanit”, tha ai.
Kadriu nuk ka dhënë detaje shtesë rreth numrit të personave të intervistuar.
Rasti po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan në koordinim me institucionet përkatëse.
Kujtojmë se deri më tani ka komisionerë dhe kryesues të arrestuar dhe të ndaluar në Prizren, Mitrovicë dhe Malishevë.
Ndërkaq Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë që të nisë grumbullimin e provave për keqpërdorim të votës edhe në Podujevë, Pejë e Obiliq./Telegrafi/


