Please enter at least 3 characters.

Duane “Keffe D” Davis shpallet fajtor për vrasjen e Tupac Shakur pas gati 30 vitesh

Duane “Keffe D” Davis është shpallur fajtor për vrasjen e reperit të njohur Tupac Shakur, gati tri dekada pas atentatit që tronditi botën e muzikës.

Juria në Las Vegas e shpalli Davis fajtor për vrasje të shkallës së parë, pasi diskutoi për rreth tre orë.

Ai ishte personi i vetëm i akuzuar ndonjëherë zyrtarisht për vrasjen e Tupac, i cili u qëllua për vdekje në vitin 1996 pranë Las Vegas Strip, shkruan CNN.

Gjatë deklaratave përfundimtare, prokuroria argumentoi se provat rrethanore, si dhe deklaratat e vetë Davisit ndër vite, e lidhnin atë me krimin.

Prokurorët pretenduan se Davis dhe nipi i tij, Orlando “Baby Lane” Anderson, kishin kërkuar Tupac-un pas një përleshjeje mes Anderson dhe reperit në MGM Grand, pas një ndeshjeje boksi të Mike Tyson.

Prokuroria iu referua edhe kujtimeve të Davisit, ku ai kishte përshkruar rrethana që lidhen me të shtënat.

Sipas tyre, deklaratat e tij përbënin një pranim të rolit të tij në ngjarje, pavarësisht ndryshimeve në versionet e treguara ndër vite.

Në anën tjetër, mbrojtja e quajti Davisin një dëshmitar të pabesueshëm dhe pretendoi se rrëfimet e tij ishin trillime.

Avokati Michael Sanft vuri në dukje gjithashtu mungesën e provave të drejtpërdrejta dhe të dokumenteve që, sipas tij, do të provonin se Davis ndodhej në Las Vegas në momentin e vrasjes.

Familjarët e Tupac-ut reaguan me emocione ndaj vendimit. Motra e reperit, Sekyiwa “Set” Shakur, u pa duke qarë dhe duke mbajtur duart me anëtarët e tjerë të familjes.

Davis pritet të dalë para gjykatës për caktimin e dënimit më 13 tetor, ndërsa për vrasjen e shkallës së parë përballet me mundësinë e burgimit të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht. /Telegrafi/