Droni godet anijen amerikane të gazit në portin egjiptian
Një dron goditi një anije cisternë për ruajtjen e gazit në pronësi të një kompanie amerikane në portin mesdhetar të Damietës në Egjipt, duke shkaktuar një zjarr që u përhap edhe në një anije tjetër, raportoi të mërkurën kompania britanike e sigurisë detare Ambrey.
Sipas tre burimeve tregtare të njohura me incidentin, objektivi i sulmit ishte njësia lundruese për ruajtjen dhe rigazifikimin e gazit natyror të lëngshëm (FSRU) Energos Winter.
Flakët më pas përfshinë edhe anijen Gaslog Salem, e cila ndodhej pranë saj, shkruan reuters.
Dy burime të sigurisë thanë se vlerësimet paraprake tregojnë se shpërthimi ka shumë gjasa të jetë shkaktuar nga një sulm me dron, një zhvillim që mund të sinjalizojë zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme edhe në infrastrukturën energjetike rajonale. Deri më tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
Nga ana tjetër, Ministria egjiptiane e Naftës konfirmoi vetëm se në port shpërtheu një zjarr në një anije rigazifikimi dhe në një anije magazinimi, pa përmendur mundësinë e një sulmi me dron.
Kompania e shërbimeve portuale Inchcape njoftoi gjithashtu se dy cisterna me gaz u përfshinë nga flakët në Damietë.
Ministri egjiptian i Naftës, Karim Badawi, mbërriti në vendngjarje për të mbikëqyrur operacionet e reagimit.
Sipas autoriteteve, zjarri u vu shpejt nën kontroll nga ekipet e zjarrfikësve dhe të sigurisë, ndërsa nuk u raportuan viktima apo të lënduar. Ekipet teknike vazhdojnë të vlerësojnë dëmet dhe ndikimin e incidentit. /Telegrafi/


