Dogana sekuestron barna të kontrabanduara në Ferizaj, vlera mbi 30 mijë euro
Dogana e Kosovës ka vazhduar me intensitet kontrollet kundër kontrabandës me mallra, me fokus të veçantë në sektorin e barnave.
Së fundmi, njësitë e antikontrabandës kanë zhvilluar një aksion në Ferizaj, ku gjatë kontrolleve në një poliklinikë private dhe në një barnatore janë sekuestruar barna të dyshuara si të kontrabanduara, me vlerë mbi 30 mijë euro.
“Gjatë një operacioni kundër kontrabandës, njësitë e antikontrabandës kanë konfiskuar një sasi barnash të dyshuara si të kontrabanduara dhe kanë zbuluar një hapësirë të fshehtë (bunker) të përshtatur për fshehjen e tyre”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.
Gjatë kontrollit në hapësirat e poliklinikës, si dhe në një hapësirë të kamufluar në bodrum, e cila shfrytëzohej për kryerjen e rrezatimeve rentgen, është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme barnash pa banderola RKS.
Pas evidentimit dhe verifikimit nga agjencitë kompetente, është konstatuar se janë konfiskuar 1,099 pako barnash pa banderola, të regjistruara sipas specifikacionit zyrtar me vlerë të përgjithshme të vlerësuar mbi 30,000 euro.
Ndër barnat e konfiskuara përfshihen produkte farmaceutike si Nexium, Jardiance, Xarelto, Janumet, Primolut, Microgynon, Cyclo-Progynova, Sintrom, Euthyrox/Eutirox, No-Spa, Ponstan, Diane, si dhe barna të tjera, sipas listës zyrtare të konfiskimit.
Rasti është në procedurë të mëtejme ligjore, ndërsa Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e qarkullimit ilegal të barnave, si dhe në mbrojtjen e shëndetit publik, në koordinim me institucionet relevante. /Telegrafi/


