Dita kur vdiq Rudolph Valentino - dhe bota humbi mendjen
Rodolfo Pietro Filiberto Raffaele Guglielmi di Valentina d'Antonguolla (1895-1926) - i njohur si Rudolph Valentino - i fotografuar në vitin 1921
Foto: Getty/John Kobal Foundation
Vdekja e yllit të filmit pa zë, 100 vjet më parë, çoi në histeri masive dhe në vetëvrasjen e admirueses së tij më të madhe.
Nga: Alison Kerr / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Njëqind vjet më parë [23 gusht 1926], vdekja e superyllit të parë të filmit në botë dërgoi valë tronditjeje në mbarë globin. Rudolph Valentino ishte vetëm 31 vjeç dhe në kulmin e famës së tij ndërkombëtare kur vdiq nga peritoniti.
Valentino ishte seks-simboli i parë i Holivudit - dhe tërheqja ndaj tij si dashnor latin u përkthye në një sukses të jashtëzakonshëm në arkëtime. Pra, ishte e pashmangshme që admiruesit të ishin zemërthyer kur ai vdiq. Një ditë pas vdekjes së tij, rreth 30 mijë veta formuan një radhë të çrregullt nën shiun e Nju-Jorkut për të parë trupin e tij, ndërsa ai ishte i ekspozuar për homazhe në një shtëpi funerale në Broduej. Për disa orë, policia e hipur në kuaj u përpoq ta vinte situatën nën kontroll, ndërsa xhamat u thyen, përleshjet shpërthyen dhe rreth 100 gra u plagosën.
The New York Times raportoi se “herë pas here gjatë pasdites, një duzinë policësh të hipur në kuaj u detyruan të sulmonin turmën, ndërsa gratë dhe vajzat klithnin dhe bërtisnin nga tmerri dhe përpiqeshin të largoheshin me ngut nga thundrat e kuajve. Këmbët u shkeleshin, rrobat u griseshin, madje kapelat, çadrat dhe këpucët shkëputeshin nga pronaret dhe, në një moment, Brodueji, i mbyllur herë pas here për qarkullimin për disa orë përgjatë bllokut midis Rrugëve ‘66’ dhe ‘67’, ishte i mbushur me sende të grisura dhe të dëmtuara personale”.
Pati një valë tjetër trazirash kur menaxheri i Valentinos i mbylli dyert pesë ditë më herët për shkak të “shkeljeve të shumta skandaloze të rregullave të mirësjelljes”, ndërkohë që radha ishte katër vetë e gjerë dhe gjysmë miljeje e gjatë. Reuters-i raportoi se “shumë vajza që i afroheshin arkivolit qeshnin dhe përdornin pudër dhe buzëkuq, sikur të ishin në një kinema apo restorant, në vend që të ishin në praninë e të vdekurit”.
Gjatë gjithë natës, 10 burra të veshur me këmisha të zeza të fashistëve dhe që pretendonin se përfaqësonin Lidhjen e Fashistëve të Amerikës së Veriut, bënin roje pranë arkivolit të Valentinos - me sa duket me urdhër të Mussolinit, i cili gjithashtu urdhëroi që në emër të tij të vendosej një kurorë me lule mbi arkivol.
Më pas, më 30 gusht, 150 mijë veta u rreshtuan përgjatë rrugëve për udhëtimin vajtje-ardhje të Valentinos nga shtëpia funerale deri te kisha në Rrugën “Uest 49”, ku do të mbahej e para nga dy ceremonitë me pjesëmarrjen e shumë yjeve - një në secilin bregdet. Në funeralin e tij në Holivud, tetë ditë më vonë, aktorja Pola Negri - e cila pretendonte se ajo dhe “Rudy” kishin qenë të fejuar fshehurazi - u hodh në rolin e vejushës së pikëlluar dhe vendosi mbi arkivolin e tij një kurorë me emrin e saj.
Vitin pasues, një figurë misterioze e mbuluar me vello, të cilën mediat e pagëzuan “Zonja me të zeza”, bëri të parën nga paraqitjet e saj të shumta të përvitshme, duke vendosur një trëndafil të vetëm të kuq në kriptën e tij. E gjithë kjo u përpi nga shtypi dhe admiruesit dhe hodhi themelet e legjendës së Valentinos.
Me kalimin e viteve, qarkulluan mite urbane për admirueset e Valentinos që kishin vdekur duke bërë vetëvrasje. Ato madje u riprodhuan si fakte pasi disa shembuj u përmendën në një artikull të vitit 1965 në revistën American Heritage. Ndër to ishte edhe një histori për një amvise nga Nju-Jorku me emrin Agatha Hearn e cila, jo shumë kohë pas vdekjes së yllit, supozohej se kishte vrarë veten me armë zjarri (duke shtrënguar në duar fotografitë e heroit të saj), sepse pikëllimi ishte tepër i madh për t’u përballuar. Çuditërisht, vetëvrasja e saj nuk u përmend në asnjë gazetë deri pas botimit të artikullit në American Heritage. Edhe dëshmitë për admirueset japoneze, të cilat supozohej se ishin hedhur së bashku në një vullkan, janë të vështira për t’u gjetur.
Në fakt, është vetëm një rast 100 përqind i verifikueshëm i një vetëvrasjeje të ndërlidhur me Valentinon - dhe ai është rasti i Peggy Scottit, gruas së re që vdiq në një apartament mbi dyqanin e kapelave të shoqes së saj në Rrugën “Xhejms”, pranë Rrugës “Oksford” në qendër të Londrës.
Lajmi tronditës për vdekjen e Valentinos iu bë i ditur publikut britanik në edicionet e mëngjesit të 24 gushtit dhe Peggyt nuk iu desh shumë kohë për të arritur në përfundimin se “me vdekjen e tij, edhe grimca e fundit e guximit tim është zhdukur”. Ajo helmoi veten që të nesërmen.
Raportimet e para sugjeronin se ajo ishte aktore pak e njohur, e cila e kishte njohur personalisht yllin e Sheikut [filmit The Sheik], të cilin e kishte takuar gjatë kohës që ndodhej në Francë. Raporti ka theksuar: “Disa fotografi të Valentinos me autograf u gjetën nga policia në dhomën e gruas së vdekur, e cila mori gjithashtu në zotërim disa letra të korrespondencës”.
Policia [Scotland Yard] u bëri thirrje të afërmve të paraqiteshin. Peggy përshkruhej “pesë këmbë e gjatë [152.4 centimetra], me çehre të zbehtë, me flokë të çelët të prerë shkurt, sy të kaltër dhe trup mesatar. Ajo mbante një varg perlash, një unazë platini me gurë të zinj në gishtin e tretë të dorës së majtë dhe një unazë të vjetër prej argjendi në gishtin e vogël të dorës së djathtë”.
Në hetimin gjyqësor, Rosa Aldborough, shoqja në apartamentin e së cilës ajo kishte vdekur, deklaroi se emri i Peggyt ishte Margaret Murray Scott dhe se besonte që ajo ishte britanike, e lindur në Afrikën e Jugut dhe e martuar dy herë. Ndonëse vetëm 27 vjeçe, Peggy kishte përjetuar tashmë një tragjedi të paimagjinueshme: burri i saj i parë kishte vdekur gjatë Luftës së Parë Botërore dhe ajo kishte humbur të dy fëmijët e saj - një djalë dhe një vajzë - në foshnjërinë e tyre. Rosa besonte se ajo ishte e ndarë nga burri i saj i dytë dhe se nuk kishte asnjë të afërm të gjallë. Të dyja u bënë shoqe disa vjet më parë, kur Rosa jetonte në Paris dhe dëgjoi se një vajzë angleze ndodhej në një spital aty pranë. Ajo shkoi ta vizitonte. Më vonë Peggy kalonte herë pas here fundjavat në apartamentin e Rosas. Ajo lëvizte mjaft nga një vend në tjetrin - dhe, së fundmi ishte në gjendje të vështirë ekonomike dhe nuk arrinte të gjente punë - megjithëse i pëlqente të kërcente dhe ishte e mirënjohur në skenën e klubeve të natës në Londër.
Rosa besonte se Peggy ishte njohur me Valentinon në Paris. “Nuk kam njohur kurrë një vajzë kaq të rënë në dashuri. Për një gjë jam krejtësisht e sigurt - nuk ishte një dashuri pa bazë ajo që ajo ushqente ... Edhe ai duket se kishte treguar interes të madh për të dhe, nga ato që më ka treguar Peggy, vazhdoi ta ndihmonte pothuajse deri në kohën e vdekjes së tij”.
Dy letra që Peggy kishte lënë për Rosan u bënë publike gjatë hetimit - dhe ato rezultuan se ofronin një pasqyrë elokuente dhe prekëse të gjendjes së saj mendore. Ndërsa Valentino kishte frymëzuar këngë për sheikë, Peggy - flaperja e viteve ‘20 të shekullit XX me fatin përfundimisht tragjik - e krahasonte veten me një tjetër motiv të njohur të këngëve të asaj epoke: ajo e përshkruante veten si “vetëm një flutur e vogël e krijuar për rrezet e diellit”.
Ndërsa mjeku ligjor lexonte letrat e Peggyt, Rosa qante me dënesë në mënyrë të pakontrollueshme. Në të parën, Peggy kërkonte falje pa pushim që po shkaktonte një tronditje dhe pikëllim të tillë dhe që “po largohem duke pasur borxhe dhe pa lënë para as për të më varrosur”. Ajo shkruante se nuk mund t’i duronte “vetminë dhe varfërinë” dhe se nuk kishte askënd “që të më përkëdhelë dhe as foshnja për t’i dashur, vetëm çdo ditë e njëjta gjë. Jeta është e tmerrshme, e tmerrshme, dhe kam frikë prej saj”.
Passhkrimi thoshte: “Të lutem, kujdesu për fotografitë e Rudolphit. Ai më ka ndihmuar të kapërcej shumë pengesa, pa e ditur ... Shkatërroji të gjitha letrat. - Peggy”.
Letra e dytë përmbante përmendje intriguese të miqve që mund të ndihmonin me shpenzimet e funeralit. Mes tyre ishin një “z. Oojah” dhe një “R”, për të cilin ajo shkruante se “me sa duket do të më kishte dhënë një pagesë të rregullt edhe për ca kohë”. Nëse kjo letër ishte shkruar menjëherë para vdekjes së saj, personi të cilit ajo i referohej nuk mund të ketë qenë Valentino. Dhe, aty ku shkruante për të, ajo përdorte emrin e tij të plotë të pagëzimit.
Pavarësisht suksesit të tij, Valentino vështirë se po jetonte ëndrrën. Për dikë, magnetizmi seksual i të cilit ishte i tillë saqë gratë alivanoseshin gjatë shfaqjeve të Sheikut (kinematë njoftonin se do të kishte në dispozicion infermiere ose kripëra nuhatëse - për “shpërthimet” histerike), jeta e tij personale i sillte zhgënjim dhe ankth të konsiderueshëm. Pas një martese të shkurtër më 1920 (aq të shkurtër saqë martesa as nuk u konsumua), ai u martua me Natacha Rambovan (AKA Winifred Hudnut) me emrin që tingëllonte ekzotik - një amerikane me pretendime artistike, e cila mori në dorë karrierën e tij gjatë gjithë martesës së tyre 34-mujore.
Sigurisht, pakënaqësia e Valentinos nënkuptohet në letrën e dytë të Peggyt dhe bëri shumë për ta thelluar misterin e marrëdhënies së tyre. “Ndiej sikur prej vitesh kam qenë e tendosur si një copë llastiku. Në vitin 1922, Rudolphu më ndihmoi të vazhdoja. Ai më tregoi shumë për vuajtjet e veta dhe, ndoshta, sidoqoftë, ishte vetëm çështje kohe para se llastiku të këputej”.
Kur hetimi për “Fluturën” rifilloi pesë javë më vonë, mjeku ligjor, duke shpërfillur në mënyrë mjaft mizore tragjeditë që e reja kishte përjetuar, e përshkroi jetën e saj si “jo të dobishme” dhe vendosi se përfundimi më i drejtë ishte se shkaku i vdekjes ishte vetëvrasja për shkak të helmimit akut me sublimat korroziv, ndërsa ajo ishte me mendje të çrregulluar.
Misteri u thellua me shfaqjen e një gruaje nga Londra, të identifikuar si zonjusha C Rivers, e cila pretendonte se e kishte njohur vetë Valentinon dhe këmbëngulte se ai nuk mund ta kishte takuar kurrsesi Peggyn në kohën kur Rosa thoshte se mendonte se ai e kishte takuar. (Një shoqe tjetër shkroi një artikull në një gazetë, në të cilin thoshte se mendonte që Peggy e kishte takuar për herë të parë Valentinon kur ai e vizitoi Londrën në vitin 1921.) Gruaja misterioze tha se po fliste në emër të Valentinos dhe miqve të tij, sepse “historitë që kanë qarkulluar u kanë shkaktuar shqetësim të tmerrshëm njerëzve që e njihnin”.
Duket më e mundshme që, nëse zonjusha Rivers thoshte të vërtetën, njerëzit që ajo pretendonte se përfaqësonte kishin parë letrat e botuara në shtypin amerikan në shtator 1926 - që pretendohej se ishin nga Valentino për Peggyn. Ai shkruante se e kishte jashtëzakonisht për zemër, porse dëshironte të mbetej i lirë, dhe hodhi poshtë pretendimin se mes tij dhe Pola Negrit kishte një histori të madhe dashurie.
Asnjëra prej këtyre letrave nuk u botua në Mbretërinë e Bashkuar dhe duket e mundshme që ato ishin sajuar. Por, ato fare mirë mund ta kenë zemëruar Negrin, e cila kishte dhënë një interpretim të denjë për çmimin Oskar në funeralin e tij dhe dëshironte të njihej si dashuria e tij e madhe.
Nuk do ta dimë kurrë të vërtetën për marrëdhënien mes Valentinos dhe Peggy Scottit - nëse ishte reale apo e imagjinuar - por ajo që është e sigurt është se, me vdekjen e saj, Peggy Scotti e lidhi veten përgjithmonë me burrin e ëndrrave të saj. Dhe, ashtu siç ai ishte superylli i parë i shekullit XX, edhe ajo fare mirë mund të ketë qenë viktima e parë tragjike e adhurimit të të famshmëve. /Telegrafi/


