Please enter at least 3 characters.

Dita e ndeshjeve: Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy përballje interesante

Superliga e Kosovës vazhdon sot (e shtunë) me dy ndeshje të javës së parë të edicionit 2026/27, teksa skuadrat do të kërkojnë ta nisin sezonin e ri me rezultat pozitiv dhe tri pikë.

Në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, Drenica do të përballet me Dukagjinin. Ndeshja është caktuar të zhvillohet nga ora 16:30, në një përballje që pritet të sjellë emocione që në startin e kampionatit.

Drenica synon të bëjë një paraqitje sa më të mirë para tifozëve të saj, ndërsa Dukagjini synon ta nisë sezonin me pikë dhe të dëshmojë se do të jetë një kundërshtar i fortë gjatë këtij edicioni.

Në të njëjtën kohë, në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, Vushtrria do të presë Malishevën. Edhe kjo sfidë nis në ora 16:30 dhe do të jetë një tjetër test i rëndësishëm për dy skuadrat në javën hapëse.

Vushtrria vjen me ambicie të mëdha në Superligë dhe synon të marrë një rezultat pozitiv në nisje, ndërsa Malisheva hyn në këtë përballje me objektivin për të nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Gjatë të dielës janë programuar edhe dy ndeshjet e fundit Drita-Llapi dhe Prishtina Ballkani, teksa ndeshja e luajtur të premtes mes Feronikelit ’74 dhe Gjilanit përfundoi me fitoren e mysafirëve 1-3. /Telegrafi/