Dhuna në familje nën lupën e profesionistëve: Simpoziumi që bashkoi ekspertët për një qasje ndërdisiplinare në mbrojtje të shëndetit mendor
Në kuadër të muajit të promovimit të shëndetit mendor dhe në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Familjes, Asociacioni i Psikiatrëve të Kosovës organizoi me sukses një simpozium shkencor me temën “Dhuna në Familje – Qasje ndërdisiplinare dhe roli i profesionistëve të shëndetit mendor”.
Ky aktivitet mblodhi bashkë ekspertë të fushave të ndryshme – psikiatër, psikologë, mjekë të mjekësisë familjare, si dhe përfaqësues të institucioneve relevante – për të diskutuar mbi një fenomen shqetësues që po lë pasoja të rënda në shëndetin mendor të qytetarëve në Kosovë: dhunën brenda familjes.
Simpoziumi u hap nga psikiatrja e njohur shqiptare, Dr. Valbona Tafilaj, e cila theksoi rëndësinë e këtij organizimi në adresimin e një teme që shpeshherë mbetet e heshtur, por që ka ndikime të thella psikologjike, emocionale dhe sociale. “Kjo dhunë – psikologjike, fizike, emocionale apo seksuale – lë gjurmë të thella, jo vetëm në trupin e viktimës, por edhe në mendjen, identitetin dhe zhvillimin e saj afatgjatë”, tha ajo në fjalimin e saj hyrës.
Në këtë simpozium u theksua nevoja për ndërhyrje të hershme dhe diagnostikim të saktë të ndikimit të dhunës në shëndetin mendor të viktimave, si dhe rëndësia e rolit të profesionistëve të shëndetit mendor në identifikimin e shkaqeve dhe pasojave të dhunës në familje, një dukuri që sipas statistikave dhe përvojës klinike është në rritje në shoqërinë kosovare.
Pjesëmarrësit theksuan se bashkëpunimi ndërdisiplinar është domosdoshmëri, duke përfshirë sektorët e drejtësisë, arsimit, dhe shoqërisë civile, për të ndërtuar një qasje më holistike dhe të qëndrueshme ndaj këtij fenomeni kompleks. Po ashtu, u ngritën kërkesa të qarta për hartimin e politikave të reja dhe forcimin e mekanizmave institucionalë, që do të ndihmonin në parandalimin dhe trajtimin më efikas të rasteve të dhunës në familje.
Në diskutimet dhe prezantimet që u zhvilluan gjatë ditës, u trajtuan edhe temat e ndikimit të përjetimeve traumatike në formimin e cikleve të dhunës, roli i faktorëve kulturorë dhe kontekstualë në perceptimin e dhunës, si dhe pasojat e dhunës në zhvillimin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Asociacioni i Psikiatrëve të Kosovës shprehu përkushtimin e tij të vazhdueshëm në promovimin e shëndetit mendor dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale për adresimin e kësaj problematike shoqërore, duke e përmbyllur simpoziumin me mesazhin: “Investimi në shëndet mendor është edhe investim në sigurinë shoqërore”.
Simpoziumi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit të gjerë publik dhe institucional për dhunën në familje dhe shërbeu si platformë frymëzuese për bashkëpunime të reja në të ardhmen. /Telegrafi/


