Please enter at least 3 characters.

Derisa kadastri fle, brezi i pasluftës po ikë

Ilustrim

Tash askush nuk mund të ankohet që mungojnë librat.

Janë hapur librari të mëdha e të vogla kudo. Bajrami që shet libra në qendër të qytetit, punon aty në një kioskë për çdo ditë.

Jo pak herë dhe jo vetëm atij, qytetarë të ndryshëm i afrohen më shumë për t’ia shitur ndonjë libër të tyre, më qellim që të pastrojnë vitrinat në shtëpi, e shumë më pak për të blerë ndonjë libër të ri. Shitësit e pazakonshëm i lënë krejt lirë ato libra vetëm për t’i hequr qafe. Ndodhë që, jo vetëm Bajrami, por edhe gjithë ata që shesin libra sikur ky, blejnë libra të vjetër (të palexuar kurrë), të ruajtur mirë, por edhe ndonjë më të vjetër e pa kapakë. Ai tregonte një libër të vjetër të tillë të nxirë nga koha. Ishte një libër i një autori italian me titull “Zjarr në kadastër”, i autorit Karlo Montela, përkthyer nga italishtja në shqip nga Luman Kuçi, botuar në shtëpinë botuese” Naim Frashëri” në Tiranë në vitin 1974.

Grremçi e mori librin nga kërshëria. Mendonte ta lexonte mu pse ai libër ka përfunduar ashtu pa kapak dhe është nxirë nga koha strukur diku në ndonjë qoshe plot lagështi.

Libri Grremçit ia kishte kthyer kujtimet për historinë e kadastrit tonë nën pushtues të ndryshëm që nuk na u hoqën qafe me shekuj. Shumëkush mendon se një shkrimtar ka shkruar koti një roman si ky shkrimtari italian - mendonte Grremçi!

- Të jeni të bindur se çdo vepër e shkruar ka diçka me vlerë, mendonte vet me veti.

Aty për aty kishte filluar të mendonte seriozisht pse secili prej pushtuesve nuk e la pa grabitur, sidomos librat e kadastrit?

Pjesa ma interesante e kësaj grabitje, shpeshherë ilegale, shpeshherë edhe me forca ushtarake, me urdhër të prerë nga lart, që ato libra të dërgohen me kohë dhe në vend të sigurt. Shumica e punonjësve të kadastrit në të shumtën e rasteve nuk kanë ide për atë anën e errët të politikes së pushtetit, sa i përket kadastrit.

Kujt i duhen librat e kadastrit për shembull pas 100 vjetësh? - pyeste vetën Grremçi

Askujt, do të thoshte vetëm një qytetar i painformuar! Po ata libra edhe pas 500 vjetësh ruhen në vende të sigurta bash sikur të ishin rezerva të arit, sepse për grabitësit, ato dokumente kadastrale, sa kohë që i kërkon dikush sjellin ar. Hulumtimi nëpër arkivë të moçëm paguhet sapo dikush troket në derë të tyre. Ata përgjegjësit e arkivit, pastaj, sipas kategorive të dokumenteve, e caktojnë edhe çmimin e shërbimit që mund të ofrojnë.

Grabiti gjithë librat e arkivit të kadastrit shërbimi përkatës osman.

Grabiti librat e kadastrit pushtuesi serb kur iku nga Kosova pas luftës së fundit.

Asnjë pushtues nuk i merr kot ato libra.

Pushtuesi hapte dhe fillonte të shkruante librat e kadastrit që nga arritja e ushtarit të parë në tokën e pushtuar.

Pushtuesi që ka ikur, jo vetëm që mendon të kthehet një ditë, por mendon edhe për fitim, edhe nëse nuk kthehet kurrë.

Pushtuesi turk i ruan ato dokumente dhe i shfrytëzon sipas nevojës. Ai që do të merret me thellësinë politike të rëndësisë se tyre mund ti qaset kësaj teme tepër interesante dhe aq shumë të keqpërdorur nga çdo pushtet.

Kjo është temë përtej çdo teme.

Kush është pronar tokash e pasurish të paluajtshme në ato libra?

Nuk është masa e gjerë popullore, të jeni të sigurt, por të pasurit.

Janë këto pak njoftime se çka mund të dali nga thesi i pushtuesit djallëzor vetëm përmes librave të kadastrit.

Pyetja e parë që mund të bëhej ishte pse diku në një qytet italian, populli pas shumë vuajtjeve vendosi ta digjte ndërtesën e arkivit të kadastrit?

Qytetarët pasi ishte ngopur me aq shumë të zeza që u kishte sjellë ai shërbim vendosen ta djegin gjithë shtëpinë e arkivit bashkë me dokumente.

Krejt me tertip, edhe perandoria osmane, kur ishte kalbur, kishte urdhëruar qatipët te tërheqin të gjithë librat e kadastrit nga vilajetet deri ku shtriheshin kufijt e perandorisë.

Këta libra madje edhe sot brenda tyre ruajnë vetëm fatkeqësi të popullit. Pak kush ka pyetur pse pushtuesit kishin tërhequr pikërisht librat e kadastrit?

Po të mos bisedoja me Grremçin nuk do ti kisha rënë në fije as temës aktuale me të cilën po ballafaqohen njerëzit tanë tash 25 vjet pas luftës.

Pak kush mund të paramendojë se çka përsiatë Grremçi pikërisht për librat e kadastrit. Grremçit i kujtohen edhe goxha do dokumente që hulumtuesit tanë i kanë gjetur në arkivat e perandorisë osmane. I kishte ra në dorë Grremçit edhe libri më i ri me dokumente të tilla. Në atë libër gjendeshin emrat e të gjitha fshatrave që ishin nën pushtetin osman për pesë shekuj me radhë. Ishin aty hartat, dhe toponimet, por të gjitha në gjuhën arabe-osmanishte.

Në librat që grabiti Serbia janë të ashtuquajturat komuna kadastrale toponimet serbisht me alfabet cirilik., në gjuhën e pushtuesit, për nëntë dekada të pushtimit serb të Kosovës.

Madje, pushtuesit kanë vizatuar edhe harta të veçanta kadastrale të organizimit territorial, të cilat nuk përputhën me territorin e komunave reale që i njohim. Shënimi ka të bëjë me një dukuri tjetër me të cilën ballafaqohen qytetarët e Kosovës tash 25 vjet pas luftës. Gjithçka që i përket punëve administrative ka marrë njëfarë rruge të zgjidhjes së problemeve të zakonshme të qytetarëve, por jo edhe kadastri.

Sapo të ketë punë dikush me administratorët e kadastrit, aty nis filli i problemeve që zakonisht nuk zgjidhën kurrë, apo qytetari nuk merr zgjidhjen e kërkuar për së gjalli. Këtë dukuri tepër të dëmshme që po vazhdon në Kosovë e kanë vërejtur edhe gazetarët e njohur të mediave të njohura të botës.

Janë rritur jashtë fëmijët e fëmijëve tanë.

Nuk janë pak ata.

Nuk kanë hequr krejt dorë nga vatani.

Duke u rritur ata kanë filluar të mendojnë se ndoshta do të kthehen në vendlindje kur të plakën?

Ndoshta do të kthehen edhe fëmijët e tyre. Kur vijnë verës në vendlindje, fillojnë të mendojnë për arat e gjyshit. Pas pak kuptojnë se ato ara ende nuk janë përkthyer në emër të babait të tyre. Pastaj shohin se babai paska edhe vëllezër hisedar dhe ato toka akoma janë në emër të të vdekurve.

Dikush e pickon këtë problem sa herë që i jepet rasti.

Dy fjalë mjaftojnë për të zgjuar e nxitur një problem, edhe ashtu ekzistues. Dikush e përballon me mahi, por dikush edhe me revoltë. Pa një pa dy, del problem ndarja mes vëllezërish.

Dje Grremçi sapo kishte kuptuar që nja katër të rinj kishin ikur nga vendlindja drejt Perëndimit. Dhe siç tha Grremçi; ata ikën për të mos u kthyer më.

Ata ikën, tha më zë Grremçi, thuajse bota i kishte faj.

Mendon dikush se administrata nuk ka faj që ikin aq shumë njerëz nga vendlindja!?

Ikin sidomos të rinjtë të cilët sapo kuptojnë se për të zgjidhur një problem në administratë duhet me pritë 30 apo 40 vjet.

Askush nuk ka jetë tepër thotë Grremçi dhe kujton bisedën që kishte me të birin para 25 vjetësh. E kishte të birin e shkolluar e të punësuar por as kjo nuk i mjaftoi për ta bindur që mos të largohet.

I biri, një ditë i tha Grremçit: - sa vjet ka që ke ble këtë shtëpi e nuk e përkthen dot?

- Na tre fëmijët tuaj kemi lindur e jemi rritur në atë kasolle të cilën e bleve para se të lindim na tre. E ndërtove edhe shtëpinë e re pa leje, pasi nuk mund merrje leje për 50 vjet. Kaluam edhe gjithë të zezat e luftës dhe shpresuam shumë, por kur të kemi parë se as 25 vjet pas luftës nuk e përkthen dot shtëpinë që e ndërtove vetë, e as nuk e legalizon dot, pasi ashtu është caktuar me ligj.

- Unë po iki baba!- i tha atë ditë Grremçit, djali i madh. . Nuk mund të jetojë si ti duke vrapuar kot nëpër zyre. Sa vjet jetë u dashka të kem unë për të arritur ditën kur këta që bëjnë ato punë administrative do të më japin një letër.

- Nuk kam jetë tepër, o baba!

- Po eci. Bota është e gjerë.

Besoj se askund në botë, askush nuk pret ata zyrtarë që ua nxijnë jetën njerëzve.

- Unë besoj, o baba Grremç se kjo administratë ty ta ka shkurtuar jetën së paku për nja dhjetë vjet.

Grremçi s’kishte çka i thoshte të birit.

Bile atë ditë që i biri po largohej me avion, nga pikëllimi, nuk shkoi ti thoshte as udha e mbarë.

Mendon Grremçi pse hulumton pikërisht statistikat e dhembshme. Edhe vetit ja ka inat pse vuan nga ato statistika që kryesisht janë rezultat i mos punës së administratës, sidomos asaj të kadastrit.

Nuk mendon Grremçi për atë administratën e certifikatave të lindjes apo të letërnjoftimeve e pasaportave, por mendon seriozisht për ata të kadastrit.

Ditën tjetër ikën edhe katër anëtarë të një familje. Madje tre fëmijët e tyre kishin lindur pas luftës. Ata ikën kur vëllezërit e tyre nisen të përmendin ndarjen e tokës së babës, tregonte në telefon halla e Grremcit, që moti jeton në perëndim. Sa fjalë që thoshte dukej sikur po gëzohej që më në fund kanë ikur edhe katër anëtarë të fundit të familjes së gjerë të saj. Halla i ka shtatëdhjetë familjarë në çdo kënd të atij shteti që me duhet të ia kursej emrin. Nuk dua të preket dikush nga shënimi, ose ta gjej vetën diku në këtë shënim.

Kjo çka po ndodhë është bërë përditshmëri. Pak kush lexon atë pjesën më të dhembshme të shoqërisë- statistikën e shkurorëzimeve të përditshme. As numrin e atyre që janë shkurorëzuar për një muaj në komunën ku jeton Grremçi nuk po e shënoj për të mos shkaktuar më shumë dhembje.

Ata katër ikën para një jave dhe nga fjalët që fliste halla nuk mund të kuptohej a ishte gëzuar apo ishte mërzitur. Ajo ka bërë tetë dekada jetë dhe duket sikur është mësuar me ikjen e njerëzve nga vendlindja. Grremçi e dëgjonte hallën që fliste pa ndalur, por vet nuk e thoshte edhe një fjalë të vetme. Dukej sikur halla e tij po flet vet me veti. Janë katër të rinj dhe besoj se nëse duan të punojnë, gjejnë punë menjëherë i thoshte halla Grremçit.

As që kishte Grremçi mendjen se çka po fliste halla, por ai po kujtonte katërshen që iku dhe tre prej tyre ishin fëmijë të lindur e rritur pas luftës.

Për çudi, të gjithë e dinë, shohin e njohin njeri tjetrin dhe përditë flasin për ata që ikën, por askush, apo pak kush mendon më shumë për problemin. Ai babi i dy djemve dhe një vajze, ka edhe dy vëllezër jashtë. Njeri nga ta vinte çdo verë, por nuk rrinte thuaja kurrë në shtëpinë e bukur ku jetonte i vëllai. Tjetri vëlla vetëm një herë kishte ardhur pas luftës dhe më nuk u kthye kurrë.

Mendonte Grremçi për sherrin e madh që përcjell thuaja çdo ndarje në familje. Tre vëllezër që të tre jashtë punojnë. Kanë këtu hisen e babës. Asnjeri nuk e merr me mend të ndahet nga tjetri ashtu siç duhet.

Ata tre, shtëpinë e re e kontestuan 25 vjet pas ndërtimit. Secili prej tyre pretendonte që atij i takon shtëpia e re. Me takon mua, thotë secili. Gjithçka kishte parë Grremçi. Kishte dëgjuar çdo bisedë të tyre. I kishte këshilluar me mendjen e tij, por nuk e kishte dëgjuar askush. Grremçi sa mërzitej për krejt çka shihte e dëgjonte, herë çante me zemër e herë me lot.

- Kush ka dëgjuar dokrrat e Grremçit deri sot, i thoshte vetës?

Kësaj radhe kur halla ia komunikoi lajmin se edhe ata katër kanë ikur, Grremçi dukej sikur nuk gjente fjalë të përshkruante dhembjen që ndjente. Mund të heshtë Grremçi, por sa pare bën të shkruaj së çka ndien për atë që sheh e dëgjon përditë.

Nisë e numëron shokët që kanë ikur moti. Nuk i harron. Kthehet e numëron shokët e vetmuar pleq që kanë mbetur vetëm. Ata pleq, shokë të Grremçit po zvarriten edhe ndonjë ditë, por që po kthehet ndonjë nga fëmijët e tyre s’ka asnjë fjalë. Madje ai kujton se fëmijët e fëmijëve të shokëve të tij janë martuar moti dhe nipërit tash gati kanë arritur moshën e martesës.

Brezi i pas luftës po vjen i martuar edhe me fëmijë, ndërsa kadastri i Kosovës akoma po merret me tapi në gjuhën osmane dhe vazhdon të kërkoj librat e kadastrit që i grabiti pushtuesi serb në luftën e fundit.

true