Dënohet me 4 vjet e gjysmë burg shtetasi i Shqipërisë për vjedhje të rënda në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj shtetasit të Shqipërisë, R.M., i cili është shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale të vjedhjes së rëndë.
Ai është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim dhe me 2 mijë euro gjobë.
Sipas njoftimit të gjykatës, i pandehuri gjatë periudhës 6–15 korrik 2025, në disa fshatra të Komunës së Gjakovës, ka kryer një sërë vjedhjesh, kryesisht në shtëpi të personave që jetojnë jashtë vendit.
Fillimisht, ai kishte tentuar të kryente një vjedhje në fshatin Orize, por pa sukses. Më pas, në vazhdimësi, ka depërtuar me forcë në nëntë shtëpi të ndryshme në fshatrat Ramoc, Dallashja, Sheremet, Meje dhe Osek Hilë, me qëllim përvetësimi të kundërligjshëm të dobisë pasurore, por pa arritur të marrë asgjë.
Në fund, më 15 korrik 2025, në fshatin Osek Hilë, i pandehuri ka arritur të marrë para dhe një orë dore nga një shtëpi tjetër, duke përmbushur kështu elementet e veprës penale të vjedhjes së rëndë.
Gjykata ka konstatuar se veprimet e tij përbëjnë vjedhje të rëndë në vazhdimësi, duke u mbështetur në dispozitat përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.”


