Demokratët evropianë dënojnë deklaratën e Paunoviqit: Serbia nuk mund të ecë drejt BE-së me retorikën e Millosheviqit
Partia Demokratike Evropiane (EDP) ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të kishte qenë në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë.
Përmes një reagimi të publikuar në rrjetin social X, demokratët evropianë e kanë cilësuar deklaratën e ministres serbe si "skandaloze dhe të papranueshme", duke thënë se ajo përbën mbështetje të hapur për zhvendosjen me dhunë, persekutimin dhe krimet kundër njerëzimit.
"Pretendimi i ministres serbe Snezhana Paunoviq se ajo do ta kishte 'pastruar etnikisht Kosovën' është skandaloz dhe tërësisht i papranueshëm. Kjo përbën një miratim të hapur të zhvendosjes së detyruar, persekutimit dhe krimeve kundër njerëzimit, duke legjitimuar pikërisht politikën për të cilën Slobodan Millosheviqi u akuzua", thuhet në reagimin e EDP-së.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Evropiane, Sandro Gozi, kërkoi që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dënojë pa mëdyshje deklaratën e ministres dhe të ndërmarrë masa ndaj saj.
"Presidenti Aleksandar Vuçiq duhet t'i dënojë qartë këto deklarata dhe të sigurojë shkarkimin e saj të menjëhershëm", ka deklaruar Gozi.
Sipas demokratëve evropianë, Serbia nuk mund të pretendojë në mënyrë të besueshme përkushtimin ndaj anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nëse pjesëtarë të qeverisë së saj rikthejnë retorikën dhe ideologjinë e periudhës së Millosheviqit.
"Serbia nuk mund të pretendojë në mënyrë të besueshme se është e përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE, ndërsa anëtarë të qeverisë së saj ringjallin retorikën dhe ideologjinë e epokës së Millosheviqit", thuhet në reagim.
EDP theksoi se respektimi i vlerave evropiane fillon me refuzimin e çdo gjuhe që lidhet me spastrimin etnik, pa paqartësi dhe pa justifikime.
Reagimi i demokratëve evropianë vjen pas një vale kritikash ndërkombëtare ndaj deklaratës së Paunoviqit, e cila ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë dhe në institucionet evropiane.
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, gjithashtu ka dënuar deklaratën, duke thënë se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon apo promovon spastrimin etnik dhe duke kërkuar nga liderët politikë serbë përgjegjësi dhe përmbajtje nga gjuha nxitëse./Telegrafi.
Serbian Minister Snežana Paunovic ’s claim that she would have “ethnically cleansed Kosovo” is outrageous and wholly unacceptable. It amounts to an open endorsement of forced displacement, persecution and crimes against humanity, while legitimising the very policy for which… pic.twitter.com/uM9irlyJXS
— European Democrats (@democrats_eu) July 14, 2026


