Demaj fiton turneun e "Gongut të Artë"
Boksieri i reprezentacionit të Shqipërisë, Kristijan Demaj, është fitues i turneut të 44-të ndërkombëtar në boks "Gongu i Artë" që të shtunën u zhvillua në palestrën sportive "Boris Trajkovski" në Shkup, raporton Sporti1.
Ai në meçin final ne kategorinë deri më 91 kg ka mundur përfaqësuesin e Maqedonisë, Ilco Jonoski, me ndërprerje në raundin e dytë.
Pas përfundimit të turneut, Faton Salihu, nënkryetar i Federatës së Boksit të Maqedonisë, anëtar i Këshillit organizativ dhe anëtar u jurisë profesionale u shpreh i kënaqur me organizim.
"Mendoj se turneu ishte në nivel të lartë i organizuar dhe në të cilin u tregua boks cilësor mes të cilëve edhe boksierët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Boksieri shqiptar Demaj me meritë është shpallur fitues i edicionit të 44-të, pasi mundi boksierin nga Jonoski nga Maqedonia me ndërprerje në raundin e dytë. Në fund falënderoj Agjencionin për Rini dhe Sport për mbështetjen e këtij manifestimi të madh sportiv në boks".
Faton Salihu gjatë gjithë turneut i ka shoqëruar boksierët e reprezentacionit të Shqipërisë dhe ata të Kosovës, duke u treguar mikpritës i mirë.
Boksieri më i mirë i huaj u shpall bullgari Radoslav Pantelov (81kg), më luftarak Naser Shala (64kg) nga Republika e Kosovës, më teknik Buatsi Jocua nga Anglia, ndërsa trajner më i suksesshëm Valentin Poptolev nga Bullgaria.
Në turneun e sivjetmë morën pjesë boksierë nga 10 shtete. /Telegrafi/


