Please enter at least 3 characters.

David Attenborough nuk është vetëm thesar kombëtar, është gjithashtu personi më radikal në televizion

Një billbord i David Attenboroughut, për të shënuar 100-vjetorin e tij (Londër, 8 maj 2026)

(Foto: BBC Studios/Ocean Outdoor /Ocean Outdoor/PA)

Nga: Jonathan Liew / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Tepricat që na ka sjellë sistemi kapitalist duhet të frenohen disi. Njerëzit e zakonshëm në mbarë botën po fillojnë të kuptojnë se lakmia nuk çon në të vërtetë drejt lumturisë. Sistemi ynë ekonomik është bazuar mbi parimin e fitimit: duhet të dalësh nga viti duke pasur fitim, dhe sa më i madh të jetë fitimi që ke bërë, aq më mirë është. Në afat të shkurtër kjo funksionon, por përfundon në katastrofë.

Në këtë pikë, duhet të rrëfehem. Mendimet e mësipërme nuk janë fare të miat. Në fakt, ato janë vjedhur, përvetësuar, marrë fshehurazi nga një mendimtar radikal, shumë më erudit se unë. Pra, koha për një kuiz: cili zjarrvënës i majtë i tha këto fjalë? Zack Polanski? Antonio Gramsci? Ash Sarkar? Të paktën, ndoshta do të supozonit se, në klimën aktuale, kushdo që guxon të shprehë këto mendime të rrezikshme margjinale do të përjashtohej në skajet e jetës sonë kulturore, duke u lejuar vetëm herë pas here të dalë për t’u sulmuar në emisionin e Jeremy Vineit.

Epo, siç ndoshta e keni kuptuar tashmë, në fakt ishte ai tipi i gorillave. Thesari kombëtar. Natyralisti i dashur televiziv 100-vjeçar - i përmendur shpesh në sondazhe si njeriu më i besuar në vend - ishte ai që mbrojti një rishpërndarje të madhe financiare globale në një intervistë për BBC në vitin 2020, duke argumentuar për një të ardhme utopike në të cilën “ata që kanë shumë, ndoshta do të kenë pak më pak, dhe ata që kanë shumë pak do të kenë pak më shumë.”

Dhe, sigurisht, David Attenborough ka vite që përpiqet të na tregojë se çfarë mendon në të vërtetë. Ai votoi me krenari për qëndrimin në BE, ka sulmuar Michael Govein, flet pozitivisht për përfshirjen e të rinjve në politikë dhe, në vitin 2016, mbështeti - vetëm pjesërisht me shaka dhe sado pa mençuri - vrasjen e Donald Trumpit. Ai fliste për rreziqet e konsumit masiv, kapitalizmit shfrytëzues dhe mjerimeve të ekonomisë së tregut shumë kohë përpara se dokumentari Planeti i kaltër II [Blue Planet II] të transmetonte pamje të një balene të mbytur nga plastika me muzikë të trishtë në sfond. Ai ka paralajmëruar për katastrofën klimatike të shkaktuar nga njeriu - me tone gjithnjë e më alarmuese dhe të ashpra - prej rreth dy dekadash. Pyetja - teksa ai hyn në një dekadë të 11-të sinqerisht të pabesueshme të jetës - është nëse dikush është ende i gatshëm ta dëgjojë.

Sigurisht, kushdo që ka parë homazhin për 100-vjetorin e tij në BBC One do ta kishte të vështirë të pajtonte radikalin e qetë të përshkruar më sipër me të moshuarin e përzemërt që nderohej në skenën “Royal Albert Hall”. Një galaksi personazhesh të famshëm u sollën për të dhënë bekime të ngrohta. Një letër urimi për ditëlindje nga Mbreti Charles u soll në Londër nga një grup dhelprash dhe iriqësh CGI [Computer-Generated Imagery]. Përtej disa frazave të paqarta për “mbrojtjen e planetit”, aktivizmi dhe botëkuptimi i Attenboroughut mbetën plotësisht të fshehura. Kriza klimatike nuk u përmend as edhe një herë.

Ky është, sigurisht, Attenborough me të cilin diskursi ynë publik ndihet më rehat: i depolitizuar, i adhuruar globalisht, një arushë pelushi [Paddington Bear] në madhësinë e një njeriu, i përshtatshëm vetëm për adhurimin tonë. Ai që na mëson për bretkosat e pemëve, këlyshët e fokave dhe insektet, pa kërkuar asgjë në këmbim. Dhe, ndoshta këtu ka pyetje më të vështira për t’u trajtuar: deri në ç’masë ai ka qenë forcë për ndryshimin kuptimplotë dhe revolucionar që kërkon, dhe deri në ç’masë popullariteti i tij i gjerë dhe i padëmshëm ka qenë më shumë pengesë sesa ndihmë, duke u lejuar të fuqishmëve të shtiren sikur shqetësohen për planetin kur shmangin kompromiset e vështira dhe të dhimbshme që nevojiten për ta mbrojtur.

Personalisht, jam i prirur t’i jap Attenboroughut përfitimin e dyshimit për këtë çështje. Në thelb, ai ka qenë gjithmonë më shumë gazetar sesa shkencëtar, i vetëdijshëm mbi të gjitha për rëndësinë e takimit me publikun aty ku ndodhet, dhe jo aty ku ai do të donte të ishte. Programet e tij janë përqendruar gjithmonë, që nga parimet themelore, te bukuria dhe magjepsja e botës natyrore, duke e paraqitur ruajtjen e saj si një akt ndërgjegjeje dhe jo sakrifice. “Nëse duam t’i bindim njerëzit të marrin vendime për jetën e tyre e që ndikojnë te pagat dhe kushtet e tyre të jetesës,” tha ai në një intervistë të vitit 2008, “nuk do ta arrijmë kurrë këtë nëse ata nuk dinë diçka për botën natyrore nga e cila janë shkëputur.”

Për një “liberal të majtë standard dhe të mërzitshëm,” siç e përshkroi njëherë veten në një intervistë për New Statesman, Attenborough e ka kuptuar gjithmonë rëndësinë e spektaklit mbi polemikën. Pamja vlen më shumë se fjala. Dhe, ndërsa mbetet pakicë e konsiderueshme në të djathtën kundër objektivit net-zero që pa sukses është përpjekur ta kthejë atë në figurë të urryer - vitin e kaluar deputeti i Reform UK, Danny Kruger, e përshkroi si “anti-njeri” - ai mbetet i besueshëm dhe me kredibilitet, ndoshta i vetmi eko-socialist në Britani të cilin shtypi i djathtë nuk është përpjekur ta dëbojë nga puna.

Ajo që marrim në vend të kësaj është një Attenborough pa yndyrë, një Attenborough i zhveshur nga të gjitha instinktet e tij aktiviste dhe nga shumë diagnoza largpamëse për mënyrën se si njerëzimi ka gabuar. Ndoshta, po ta mendosh mirë, nuk është çudi që ai ndiqet kudo që shkon nga tingujt e duartrokitjeve dhe fanfarave. Kjo na kursen mundimin për të dëgjuar atë që ai thotë në të vërtetë. /Telegrafi/