Please enter at least 3 characters.

Conor McGregor, një hap larg rikthimit në UFC?

Rikthimi i Conor McGregor në oktagon duket më pranë se kurrë. Luftëtari irlandez publikoi së fundmi një postim në rrjetin social X, të cilin më pas e fshiu, ku konfirmonte se kishte pranuar një kundërshtar dhe një datë për ndeshjen e radhës.

“Më është ofruar një kundërshtar dhe një datë, dhe unë pranoj. Po pres kontratën time”, shkruante McGregor në postimin që u hoq pak më vonë, me gjasë për të shmangur njoftime të parakohshme, pasi UFC zakonisht preferon të zyrtarizojë vetë përballjet.

“The Notorious” nuk ka luftuar që nga viti 2021, kur pësoi një dëmtim të rëndë në këmbë në fund të raundit të parë në trilogjinë ndaj Dustin Poirier. Që nga ajo kohë, karriera e tij sportive ka mbetur në hije, ndërsa jashtë kafazit ai është përfshirë në disa polemika që e kanë lënë rikthimin e tij në pikëpyetje.


Në vitin 2024 u njoftua rikthimi i tij në UFC 303 gjatë Javës Ndërkombëtare të Luftimeve, ku pritej të përballej me Michael Chandler. Megjithatë, një dëmtim në gishtin e këmbës e detyroi të tërhiqej vetëm disa javë para eventit. Edhe pse u fol për një riplanifikim të ndeshjes, kjo nuk u konkretizua.

Së fundmi, me shpalljen e eventit madhor UFC Casa Blanca më 14 qershor, emri i McGregor është rikthyer fuqishëm në qarkullim. Irlandezi ka publikuar vazhdimisht video nga stërvitjet, duke premtuar se do të lërë pas stilin e jetesës së shfrenuar dhe se do të realizojë “rikthimin më të madh në historinë e sportit”.

Sa i përket kundërshtarit, situata mbetet e paqartë. Edhe pse Michael Chandler konsiderohej favorit për ta sfiduar, presidenti i UFC-së, Dana White, ka lënë të kuptohet se kjo përballje mund të mos jetë më prioritet. Emra si Nate Diaz dhe Jorge Masvidal janë përmendur në media, por deri tani nuk ka asgjë zyrtare.

E sigurt është vetëm një gjë: nëse Conor McGregor rikthehet, ai do të jetë sërish qendra e vëmendjes globale. Ish-kampioni i dyfishtë i UFC-së mbetet një nga figurat më të mëdha në historinë e MMA-së dhe rikthimi i tij do të trondiste sërish botën e sporteve luftarake. /Telegrafi/