Cikalleshi: Në Hungari shkojmë për të marrë atë që duam
Sokol Cikalleshi është njëri nga lojtarët më të mirë të Shqipërisë në vitet e fundit.
Sulmuesi shqiptar ka shkëlqyer nën epokën e trajnerit Edy Reja duke shënuar thuajse në çdo ndeshje.
Cikalleshi, që po kalon një formë mjaft të mirë në Turqi, me skuadrën e Konyasporit u shpreh se kuqezinjtë janë në një formë mjaft të mirë dhe theksoi se duhet të vazhdojnë të tregojnë se janë grup si në ndeshjet e fundit.
31-vjeçari tha se i gjithë grupi është i gatshëm për të dhënë maksimumin në fushë, teksa u shpreh se prezenca e tifozëve në Air Albania do t’i ndihmonte shumë në ndeshjen ndaj Polonisë.
Vend në formacionin ndaj Hungarisë – “Fillimisht dua të uroj presidentin Duka ditëlindjen. Përveç shëndetit dhe mbarësisë në familje, uroj që të gjithë së bashku të arrijmë të kualifikohemi për Botëror. Ndihem mirë në momentin që vazhdoj të kontribuoj për ekipin kombëtar përgjatë gjithë këtyre viteve. Gjithmonë jam munduar të bëj më të mirën dhe të jap maksimumin tim. Shpresoj që edhe në vazhdim, në momentin që trajneri e shikon të arsyeshme dhe në momentin që unë mund ta ndihmoj ekipin në arritjen e rezultateve, duke u nisur nga këto dy ndeshje, uroj që të kem sa më shumë minuta dhe të arrij të shënoj pasi kam pasur një vazhdimësi të mirë dhe ta mbaj sa më gjatë.
Marrëdhënia me Çekicin në klub? – Te Konyaspor kemi një partneritet shumë të mirë, Çekici ka ardhur dhe ka bërë një kampionat shumë të mirë, duke shënuar edhe gola të mrekullueshëm. Është një lojtar mjaft cilësor që besoj se do t’i shërbejë shumë Kombëtares. Ne jemi një grup prej 23 lojtarësh, që jemi të gatshëm dhe duke pasur dhe një trajner me eksperiencë që i shikon shumë mirë me detaje, gjërat që ne na duhen në fushën e lojës, jam i sigurtë se secili prej nesh është i fokusuar për të dhënë maksimumin në fushën e blertë.
Gol ndaj Hungarisë apo Polonisë? – Duke pasur Hungarinë pas dy ndeshjesh, do të dëshiroja një gol ndaj Hungarisë, pasi me fitoren ndaj Hungarisë, me ndihmën e tifozëve që do të jenë në Air Albania dhe duke qenë të gjithë bashkë me zjarrin e fitores ndaj Hungarisë, besoj se Poloninë dhe Levandovskin do ta mundim. /Telegrafi/


