Please enter at least 3 characters.

Çifti filipinas martohet në mes të përmbytjes: Asgjë nuk mund ta ndalonte bashkimin tonë

Një çift në Filipine ka zhvilluar ceremoninë e martesës në kushte të pazakonta, duke i thënë “po” njëri-tjetrit brenda një kishe të përmbytur deri në ije.

Leian Lieza Galang, e veshur me fustan të bardhë, hyri me kujdes në ujërat e turbullta të kishës Saint John the Baptist, në qytetin Hagonoy, në veri të Manilës, për t’u martuar me Gilbert Chico.

Edhe pse prifti i kishte këshilluar ta shtynin ceremoninë për shkak të rritjes së nivelit të ujit, çifti vendosi të vazhdonte me martesën. Ceremonia u zhvillua në një version të shkurtuar dhe, pavarësisht përmbytjes, prifti i shpalli ata burrë e grua.

“Ne ishim të vendosur. Nuk na pengoi që fustani dhe kostumi u lagën”, tha dhëndri, transmeton Telegrafi.

Fotografi i dasmës, Mikko Rey Alfonso, tregoi se kisha kishte qenë pjesërisht nën ujë për gati një muaj, ndërsa më pak se 15 persona morën pjesë në ceremoni.

Pamjet e publikuara tregojnë momente prekëse, me prindërit që përqafojnë nusen dhe një djalë që ecën nëpër ujë, deri në bel, duke mbajtur unazat e martesës.

Çifti mbërriti pranë kishës me një rickshaw të përshtatur për rrugët e përmbytura, ndërsa për t’ia bërë më të lehtë ecjen nuses, bishti i gjatë i fustanit iu shkurtua.

Në Filipine, reshjet e pazakonta të musoneve gjatë muajit gusht kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu, duke lënë të paktën 34 persona të vdekur, sipas të dhënave zyrtare.

Dasma ishte planifikuar fillimisht për dhjetor, por një dëmtim në kyçin e këmbës gjatë një ndeshjeje basketbolli bëri që Chico, i cili punon në Lindjen e Mesme, të kthehej më herët në shtëpi.

Ai vendosi ta shfrytëzonte këtë periudhë për të kurorëzuar dashurinë me partneren e tij.

“Ata e duan njëri-tjetrin. Asgjë nuk mund ta ndalonte bashkimin e tyre”, tha fotografi i dasmës. /Telegrafi/