Please enter at least 3 characters.

Chelsea shkatërron PSG-në dhe fiton Kupën e Botës për Klube

Chelsea ka shënuar fitore me rezultat 3-0 ndaj Paris Saint-Germainit në finale të Kupës së Botës për Klube. 

‘Blutë e Londrës’ e nisën në mënyrë fantastike këtë takim, duke mos treguar aspak frikë ndaj kampionit të Evropës.  

Të besuarit e Enzo Marsecas e gjetën golin e avantazhit në minutën e 22-të përmes Cole Palmer i cili realizoi një gol të bukur për rezultatin 1-0. 

Ishte pikërisht Palmer i cili shënoi një gol identik vetëm disa minuta më vonë (30’) për të dyfishuar epërsinë e londinezëve.

Epërsia prej dy golash nuk i bëri përshtypje ‘Bluve të Londrës’ të cilët vazhdimisht ishin në kërkim të golit të tretë. 

Pas disa tentimeve erdhi edhe goli i tretë, ku sërish vendimtar doli të jetë Palmer, i cili kësaj radhe ishte në rolin e asistuesit.

Reprezentuesi anglez dhuroi një pasim milimetrik në drejtim të sulmuesit Joao Pedro, i cili me plotë klas shënoi përballë Donnarummas për rezultatin 3-0. 

Në pjesën e dytë PSG-ja mori inciativën, por duke mos arritur në asnjë rast të rrezikojë seriozisht portën e gjigantit anglez.

Duke marrë parasysh epërsinë e thellë të krijuar pas pjesës së parë, Chelsea arriti që me plotë sukses ta menaxhojë atë në të dytën, për të marrë fitoren./Telegrafi/