Please enter at least 3 characters.

Çfarë rikthimi, çfarë Prishtine!

2016/01/ccedil-far-euml-rikthimi-ccedil-far-euml-prishtine_hd.jpg

Palestra e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ishte e stërmbushur me tifozerinë e Plisave, të cilët kishin përgatitur një koreografi të veçantë për skuadrën e Sutjesksës, duke e shpalosur një flamur kombëtar jashtëzakonisht të madh.

Ndeshja nisi me një ritëm të ngadaltë dhe deri në katër minutat e fundit të çerekut të parë Prishtina kishte kontrollin e lojës, mirëpo pastaj me një seri të mirë të shënimeve, Sutjeska u shkëput në rezultat dhe e mbylli këtë periodë me nëntë pikë epërsi 14-23.

Çereku i dytë ishte i barabartë dhe me ndryshime të shumta në rezultat. Së pari bardhekaltërit arritën ta shkrijnë disavantazhin në vetëm tre pikë, mirëpo mysafirët me goditjet nga distanca dhe kombinimet e mira nën trapez e rikthyen përsëri epërsinë që kishin në fillim prej nëntë pikësh, 38-47.

Në çerekun e tretë pamë një Prishtinë tjetër, më ambicioze dhe më të guximshme, ndërsa në skenë doli Dardan Berisha që realizoi 15 pikë (4 trepikësha) për t’i rikthyer epërsinë Bardhekaltërve(64-63), pas një kohe të gjatë. Në minutën e fundit basketbollistët e Sutjeskës shënuan edhe dy herë, mirëpo katër sekonda pa përfunduar çereku, Jordan Hulls shënoi një trepikësh për ta barazuar rezultatin në 69-69, duke e ndezur atmosferën në sallë.

Teksa loja po bëhej më dramatike, përforcimi i fundit i Prishtinës, Bojan Trajkovski, i shënoi dy trepikësha për ta ngritur moralin e skuadrës dhe epërsinë në pesë pikë (87-82). Më pastaj, Bavcic me Berishën e udhëhoqën skuadrën drejt fitores së madhe që i siguron Bardhekaltërve kualifikimin në fazën e mëtutjeshme.

Më i dalluari në këtë ndeshje ishte padyshim Dardan Berisha me 37 pikë, 8 asistime dhe 6 kërcime, ndërsa u ndihmua edhe nga Edin Bavcic me 25 pikë.

Sigal Prishtina tani ka marrë kryesimin e Grupit D me 8 pikë, një më shumë se Kozuvi që e ndjek pas. /Telegrafi/