Çfarë kishte ndodhur më 2004 kur forcat e RENEA-s hynë në Lazarat
Breshëritë e një mitralozi për pak se nuk e rrëzuan helikopterin me ekuipazh italian dhe specialistë shqiptarë të Antidrogës. Mjeti fluturues u shpua në tre vende, po për fat të mirë pa të lënduar. Kurse nga të shtënat e vetë banorëve u plagos në këmbë edhe një grua e fshatit prej plumbi qorr.
Në atë kohë, ministër i Rendit, Igli Toska, nuk do të kursente këtë incident. Duke ngritur shqetësimin se Lazarati ishte kthyer në një bastion droge e trafiku, informoi ambasadat e huaja për gjendjen dhe kërkoi hetime për zbulimin dhe arrestimin e autorëve me çdo kosto.
Ndërkohë që opozita e asaj kohe nisi të kritikonte Toskën për ndërhyrjen në Lazarat dhe përgatiti një protestë kundër tij. Por sipas shtypit të kohës, ambasadori amerikan Xhejms Xhefri bëri një vizitë në ministri duke takuar Toskën, dhe duke dhënë mesazhin e qartë që Shtetet e Bashkuara mbështesnin ministrin, pas këtij takimi, PD e anulloi protestën e saj.
Ndërkohë që sapo kishte kaluar një muaj nga incidenti, më 27 shtator 2004, dy skuadra speciale të RENEA-s, në sekret të plotë dhe operacion spektakolar, depërtuan në fshat me sukses të plotë. Lokalizuan në një prej lokaleve të dyshuarin Razip Mahmutaj, një i dënuar në mungesë me 22 vite burg nga Apeli për vrasje, por edhe i identifikuar si njeriu që për pak sa nuk rrëzoi helikopterin italian me plumba.
Asnjë rezistencë nga ana e banorëve dhe Lazarati dorëzoi një prej kontigjentëve më të rrezikshëm. Mahmutaj u arrestua dhe me masa të larta sigurie u nxor nga fshati në pak minuta. Asnjë të lënduar nga specialet, por as nga banorët, që u kapën në befasi. Që prej asaj kohe, policia nuk ka kryer asnjë operacion tjetër në brendësi të këtij fshati, pasi sa herë afroheshin priteshin me breshëri automatiku nga kodrat.
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit rrëfen operacionin
Sipas Bajram Ibrajt, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në bazë të të dhënave që dispononte policia, rezultonte se Razip Mahmutaj ndodhej në një nga lokalet në qendër të fshatit Lazarat. Në bazë të planit të hartuar është kryer ndërhyrja në katin e dytë të lokalit të shtetasit Drini Aliko.
Në momentin që forcat e policisë hynë në lokal, duke bërë thirrje “Kontroll, policia”, personat që ndodheshin aty kanë reaguar duke qëlluar me armë zjarri. Brenda pak çastesh edhe persona të tjerë nga jashtë lokalit filluan të qëllojnë në drejtim të policisë. Në këto kushte, duke vlerësuar situatën mjaft kritike të krijuar forcat “RENEA” janë detyruar t’u përgjigjen me armë sulmeve ndaj tyre, veçanërisht sulmeve të personave që ndodheshin në lokal.
Në një situatë shumë të vështirë dhe me një rrezikshmëri të lartë, forcat speciale “Renea” me një profesionalizëm e shkallë të lartë efikasiteti, kanë arritur të neutralizojnë dhe të kapin shtetasin shumë të kërkuar Razip Mahmuti, i njohur me nofkën “Gate”, i cili ishte njëri prej atyre që po qëllonin me armë ndaj policisë.
Të tjerët Personat e tjerë të ndodhur në lokal, të cilët nuk kanë qenë objekt i ndërhyrjes së forcave “Renea”, kanë mundur të largohen nga lokali të ndihmuar dhe nga disa persona të tjerë të fshatit, të cilët kanë qëlluar në drejtim të forcave të policisë, menjëherë sapo ata kanë nisur ndërhyrjen. Personat, të cilët kanë qenë në lokal dhe që kanë qëlluar në drejtim të policisë, janë identifikuar si shtetasit: Razip Mahmuti, Drini Aliko, Ali Rabi, Abaz Rabi, Altin Bejko, Kastriot Basha, Lorenc Basha, Sabri Shurdhi si dhe disa persona të tjerë, të cilët nuk janë arritur të identifikohen.
Nga shkëmbimi i zjarrit gjatë largimit të këtyre personave, ka mbetur i plagosur shtetasi Altin Bejko. /Telegrafi/


