Çekovski kthehet te Sigal Prishtina pas 11 vitesh
Krah-qendra nga Maqedonia, Gjorgji Çekovski, (202 cm) do të jetë përforcimi i parë i huaj te skuadra e Sigal Prishtinës për edicionin 2015/16.
Burime brenda klubit bardhekaltër të hënën kanë bërë të ditur se marrëveshja me Çekovskin është arritur dhe se basketbollisti do të zyrtarizohet gjatë kësaj jave.
35-vjeçari do të firmosë kontratë njëvjeçare me Sigal Prishtinën dhe për të kjo do të jetë hera e dytë që do të bëhet pjesë e klubit kryeqytetas. Ai edhe në edicionin 2003/04 ishte pjesë e Sigal Prishtinës, me të cilën pati fituar Kupën e Ligës Profesioniste të Kosovës në basketboll.
"Marrëveshja është arritur në parim dhe Çekovski do të zyrtarizohet gjatë këtyre ditëve si përforcimi i parë i klubit për edicionin e ri. Pas Çekovskit shumë shpejt do të vijnë edhe përforcimet të tjera", ka thënë burimi në kushte anonimiteti.
Çekovski edicionin e shkuar ishte pjesë e skuadrës së Rabotniçkit dhe njëri prej basketbollistëve më të mirë në Ligën e Maqedonisë. Me Rabotniçkin fitoi Kupën e Maqedonisë, por u eliminua në gjysmëfinale të plejofit. /Telegrafi/


