Please enter at least 3 characters.

Cakolli: Votimi i fshehtë, tentativë për të turbulluar një çështje të qartë

20:"Photo:RIDVAN SLIVOVA

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i është përgjigjur deklaratës së deputeti të  Vetëvendosjes, Hekuran Murati, i cili ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 lejon votimin e kryetarit të Kuvendit përmes votës së hapur apo të fshehtë.

Cakolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se disa po përpiqen të argumentojnë se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit mund të bëhet edhe me votim të fshehtë – duke u thirrur në një prej pikave të aktgjykimit të Kushtetueses, të vitit 2014.

“Megjithatë, kjo është një tentativë për të turbulluar një çështje që është, në thelb, shumë e qartë: zgjedhja e Kryetarit është një akt përfaqësues, i rëndësishëm dhe publik. Votimi për të duhet të jetë po ashtu i hapur, transparent dhe i përgjegjshëm”, ka shkruar Cakolli, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se “në sistemin tonë parlamentar, votimi i hapur është rregulli. Votimi i fshehtë është përjashtim – dhe përjashtimet vlejnë vetëm kur janë të përcaktuara qartazi në normë, si në rastin e zgjedhjes së Presidentit apo të emërimeve në borde dhe agjenci të pavarura. Votimi i fshehtë nuk mund të aplikohet thjesht pse ‘është më i lehtë’ për dikë që nuk i siguron dot votat ndryshe”.

“Në rastin tonë konkret, asnjë nen i Rregullores së Punës nuk parashikon që Kryetari i Kuvendit mund të zgjidhet me votim të fshehtë. Dhe kjo është thelbësore: nëse do të ishte paraparë një mënyrë e tillë, ajo jo vetëm që do të ishte e përshkruar qartë, por do të duhej të ishte gjithashtu e vetmja mënyrë votimi – e aplikuar që në fillim të procesit”, ka shkruar ai.

Tutje Cakolli ka thënë se “Çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë rrjedhës së procedurës përbën shkelje të sigurisë juridike. Në një rend demokratik, rregullat nuk ndërrohen rrugës. Deputetët, partitë – dhe mbi të gjitha qytetarët – duhet ta dinë që në fillim se si merret një vendim. Një proces që nuk është i parashikueshëm, nuk mund të quhet i drejtë”.

“Vendosja e një precedenti të tillë do të ishte e rrezikshme. Nëse sot mund të ndërrohet forma e votimit për Kryetarin e Kuvendit, nesër mund të ndodhë e njëjta për Qeverinë, apo për secilën çështje tjetër me peshë politike”, thotë Cakolli.

Sipas tij, parimisht, deputetët nuk janë zgjedhur për të fshehur votën e tyre.

“Ata janë aty për të përfaqësuar publikisht qytetarët që u kanë dhënë besimin. Nëse nuk kanë guximin të deklarojnë hapur për kë votojnë për Kryetar të Kuvendit, ndoshta nuk janë duke marrë një vendim për interes publik – por thjesht duke luajtur lojëra të brendshme partiake”, ka shkruar Cakolli.

Ministri në detyrë dhe deputeti i Vetëvendosjes Hekuran Murati, pas dështimit të sërishëm të seancës konstituive, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 lejon votimin e kryetarit të Kuvendit përmes votës së hapur apo të fshehtë.

Murati, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “pavarësisht kësaj disa organizata të shoqërisë civile dhe parti opozitare e kanë shpallur këtë formë si anti-kushtetuese, duke thelluar më tej krizën për konstituimin e Kuvendit”.

“Në Aktgjykimin e vitit 2014 për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, vetë Gjykata Kushtetuese në paragrafin 124. ka sqaruar që ndër mënyrat e pranueshme për votim, janë vota e hapur, vota e fshehtë, apo çfarëdo mënyre tjetër. Por ç’e do Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, kur disa organizata të “shoqërisë civile”, në sinkron me partitë që po bllokojnë konstituimin e Kuvendit, sot e shpallën si anti-kushtetuese këtë formë të votimit”, ka shkruar Murati, transmeton Telegrafi.

Edhe ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, e cilësoi vendimin e Deharit si shkelje të qartë procedurale, duke theksuar se kryesuesi nuk ka të drejtë të ndryshojë mënyrën e votimit pa miratim nga Kuvendi.

Sipas tij, gjithashtu edhe ndërprerja e menjëhershme e seancës ishte një tjetër gabim, pasi duhej lejuar propozimi nga Glauk Konjufca dhe më pas të shqyrtohej mundësia për vazhdim apo ndërprerje të seancës.

Ndryshe, deputetët dështuan për të nëntën herë radhazi në përpjekjen e tyre për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Më 1 maj, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kërkoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, gjë që u refuzua nga partitë e tjera.

Procesi ka ngecur prej javësh pasi partia fituese, LVV, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Ajo shihet nga disa parti parlamentare si "figurë përçarëse", por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore. /Telegrafi/