Please enter at least 3 characters.

Cafu zgjedh katër futbollistët më të mëdhenj në histori: Ata përfaqësojnë artin e futbollit

Legjenda e futbollit brazilian dhe fituesi i dy Kupave të Botës, Cafu, ka përzgjedhur katër futbollistët që sipas tij përfaqësojnë më së miri madhështinë dhe bukurinë e këtij sporti.

“Janë lojtarë që kanë bërë histori, kanë lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme dhe janë shpallur kampionë bote. Në të njëjtën kohë, ata luanin me një lehtësi të pabesueshme. Dukej sikur luanin me topin pa bërë asnjë përpjekje, nuk e kishin të vështirë të kalonin kundërshtarët, të gjuanin drejt portës apo të shënonin gola. Ishin të mrekullueshëm për t’u parë”, deklaroi Cafu.

Cafu

Ish-mbrojtësi brazilian veçoi Diego Maradonën, Lionel Messin, Pelen dhe Ronaldinhon si futbollistët që më të mirë në artin e lojës.

“Unë e dua artin e futbollit. Maradona është arti i futbollit. Messi është arti i futbollit. Pele është arti i futbollit. Ronaldinho Gaucho është arti i futbollit. Kur shoh lojtarë që bëjnë diçka të veçantë dhe na bëjnë t’i hapim sytë nga admirimi, kjo është ajo që më pëlqen”, tha ai.

I pyetur se çfarë i bashkon këta katër emra legjendarë, Cafu theksoi personalitetin dhe sjelljen e tyre në fushë.

“Personaliteti. Jo vetëm futbolli, por edhe karakteri, mënyra si luanin dhe si hynin në fushë. Asnjëherë nuk e kemi parë Messin, Ronaldinhon, Pelen apo Maradonën duke u përfshirë në përplasje me kundërshtarët. Ne i kemi parë duke luajtur futboll. Goditeshin, por ngriheshin, buzëqeshnin dhe vazhdonin të luanin. Ata gjithmonë shikonin përpara”.

Në fund, Cafu shpjegoi se si këta futbollistë dominonin kundërshtarët e tyre.

“Dhe e dini si i poshtëronin kundërshtarët? Me driblime dhe me gola. Kjo është ajo që ne duam të shohim në futboll”, përfundoi braziliani. /Telegrafi/