Please enter at least 3 characters.

Mbretëria e Bashkuar dënon ashpër gjuhën e ministres serbe: Deklaratat e tilla janë të papranueshme, nxisin tensione

Mbretëria e Bashkuar ka dënuar deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila së fundmi shkaktoi reagime të shumta me komentet e saj lidhur me Kosovën.

Përmes një deklarate, zëdhënësi i Zyrës për Punë të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar tha se referencat për spastrimin etnik të Kosovës janë tërësisht të papranueshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme.

“Ne i dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, përfshirë referencat për spastrimin etnik të Kosovës. Ato janë tërësisht të papranueshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme”, thuhet në deklaratë, të publikuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.


Londra zyrtare vlerësoi se deklarata të tilla rrezikojnë të rihapin ndasitë e së kaluarës dhe të nxisin tensione në rajon, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor po punojnë për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe multietnike.

“Në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë të përqendruara në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe multietnike, deklarata të tilla synojnë të rihapin ndasitë e së kaluarës dhe të nxisin tensione. Udhëheqësit politikë të përgjegjshëm duhet ta refuzojnë këtë gjuhë qartë dhe pa asnjë mëdyshje.

Ne e mirëpresim faktin që presidenti Vuçiq i ka hedhur poshtë këto komente”, thuhet në deklaratë. /Telegrafi/