“Borxhi ynë i vetëm është ndaj tifozëve” - FC Prishtina kërkon falje për edicionin 2025/26
Pas përfundimit të edicionit 2025/26, kryesia e FC Prishtina ka reaguar me një deklaratë publike, duke iu drejtuar Plisave, qytetarëve të Prishtinës dhe opinionit sportiv, ku ka pranuar zhgënjimin për rezultatet sportive dhe ka kërkuar falje.
Në deklaratën e drejtuesit, Driton Krasniqi, klubi thekson se ka qenë maksimalisht i përkushtuar në hartimin dhe zbatimin e një plani zhvillimor afatgjatë, me synimin që FC Prishtina të shndërrohet në shembull të organizimit profesional dhe sportiv.
Kryesia njofton se aktualisht po punohet intensivisht në riorganizimin e plotë të klubit, si dhe në realizimin e kompleksit sportiv në Bërnicë, që cilësohet si projekt strategjik për krijimin e kushteve moderne dhe të qëndrueshme për zhvillimin e klubit.
Në të njëjtën deklaratë, FC Prishtina thekson se klubi është i konsoliduar financiarisht dhe se aktualisht nuk ka asnjë obligim apo borxh ndaj askujt, por pranon se “borxhi i vetëm” mbetet ndaj tifozërisë për rezultatet e këtij sezoni.
“Prandaj, u kërkojmë falje Plisave dhe të gjithë atyre që e duan FC Prishtinën me zemër e shpirt”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se kërkimfalja vjen pas analizës dhe reflektimit të brendshëm dhe si shenjë e transparencës dhe përgjegjësisë ndaj mbështetësve.
Klubi falënderon Plisat për mbështetjen, duke i cilësuar si “forca, zemra dhe shpirti i klubit”, ndërsa falënderon edhe partnerët, sponsorët dhe mediat për bashkëpunimin gjatë sezonit.
Po ashtu, bëhet e ditur se procesi i riorganizimit ka nisur dhe se së shpejti pjesë e klubit pritet të bëhen personalitete profesionale dhe akademike, me integritet dhe karrierë të dëshmuar, me synimin që FC Prishtina të kthehet në adresë të profesionalizmit, zhvillimit të talenteve dhe sukseseve të ekipit të parë.
Kryesia premton se për çdo zhvillim të rëndësishëm opinioni publik do të njoftohet me kohë dhe me transparencë të plotë. /Telegrafi/


