Bordi i Prishtinës injoron kërkesat e Ramiz Krasniqit
Përveç borxhit ndaj lojtarëve, prishtinasit nuk janë treguar aktiv as në afatin e kalimtarë verorë.
Nëse e bëjmë një dallim me vitin e kaluar, atëherë shihet një neglizhencë e madhe e kryesisë së klubit, e cila nuk ia ka përmbushur kërkesat trajnerit Ramiz Krasniqit, ashtu siç ia plotësonin çdo dëshirë Bylbyl Sokolit në verën e kaluar.
Në një prononcim për Gazetën Tribuna, Krasniqi ka thënë se e ka pasur një listë me emrat e futbollistëve, por asnjë lojtarët që ka pasur dëshirë ta ketë në skuadër, nuk është blerë nga ana e klubit.
“Normal që e kam pasur një listë me emrat e lojtarëve që do të doja t’i kisha në skuadër. Kanë qenë lojtarë shumë cilësorë që do të na ndihmonin shumë. Por nuk e di se çka po ndodhë. Ndoshta më mirë do të ishte që t’i pyesni kryesinë e klubit pse ka ndodhur një gjë e tillë”, është shprehur numri një në stolin e prishtinasve.
Ish – trajneri i Feronikelit, ka theksuar se Prishtina deri me tani nuk ka bërë asnjë lojtarë.
“Disa lojtarë që janë ardhur në skuadër, janë futbollist që janë rikthyer te Prishtina. Deri me tani nuk e kem blerë asnjë futbollist”, nënvizoi ai.
Edhe diçka po e shqetëson Krasniqin
Një gjë tjetër që po e shqetëson Ramiz Krasniqi, është edhe numri i madh i lojtarëve që janë pa kontrata.
“Janë 6-7 futbollist që po stërvitem me skuadrën, por që nuk kanë kontrata. Driton e Besnik Krasniqi, Elhami Berisha, Driton Kukaj dhe disa të tjerë ende nuk kanë kontrata. Kampionati po ofron dhe paramendon çka mund të ndodhë nëse ndonjëri prej tyre largohet”, tha Krasniqi.
Me këtë skuadër që ka Ramiz Krasniqi, nuk duket shumë optimist për titullin e kampionit.
“Nuk e kemi marr asnjë futbollist në listën që e kemi bërë dhe me fondin që e kemi, është vështirë të mendohet për kampionat. Janë diku 10 lojtarë të mirë dhe që na kryejnë punë, por ka edhe lojtarë të rinj e të talentuar. Por kur kihet parasysh përvoja e tyre, atëherë do të jetë vështirë për ta, pasi presoni është i madh gjatë kampionatit”, nënvizoi Krasniqi.
“Timonieri” i prishtinasve, pohoi për Gazetën Tribuna se nuk kishte menduar që do ti ndodhë një gjë e tillë në Prishtinë.
“Kam ardhur në Prishtinë, por nuk kam menduar që do të ndodhë një gjë e tillë. Kam ardhur që të bëhem kampion dhe ta ndërtojë një ekip të fortë. Jemi afër pranimit në arenën ndërkombëtare dhe kam menduar ta ndërtojë një ekip të fortë”, shtoi ai.
Në fund, Krasniqi “vajtoi” edhe ikjet nga Prishtina, duke thënë se vetëm Adnan Haxhaj është liruar, kurse të tjerët, përfshirë edhe Mentor Zhdrellën, nuk janë marr vesh me kryesinë për vazhdimin e bashkëpunimit.
Prishtina e “profes”, krejt ndryshe
Në verën e kaluar, në kryeqytet kishte ardhur Bylbyl Sokoli i cili kishte sjellë saktësisht nëntë lojtarë, duke qenë kështu prishtinasit si më aktivët e sezonit.
Durim Gashi, Visar Zogiani, Mentor Zhdrella, Ahmet Haliti, Qendrim Sejdiu, Fisnik Ramadanaj, Florim Bërbatovci, Fesim Krasniqi dhe Shkumbin Salihi, zbarkuan në kryeqytet me kërkesën e trajnerit Sokoli. Plus edhe gjashtë lojtarë të tjerë u transferuan në afatin e janarit dhe numri shkoi në 15 blerje nga kryeqytetasit brenda një sezoni.
Por, tani gjërat kanë ndryshuar dhe trajneri Krasniqi ka pranuar në skuadër vetëm tre lojtarë të rinj, Qëndrim Sejdiu (Drenica), Atdhe Grajqevci (KEK-u) dhe Leutrim Beqiri (Fushë Kosovë), të cilët ai tha se janë rikthyer në ekip dhe nuk janë blerë.
Gazeta Tribuna e ka provuar të flas me anëtarët e Bordit dhe kryetarin Remzi Ejupi, por kontakti ka qenë i pamundur. Ndërkohë, drejtori, Sokol Krasniqi, nuk ka pranuar të flas, duke thënë që është punë e Bordit dhe nuk përzihet në punët e tyre
Nga Prishtina janë larguar, Mentor Zhdrella, Festim Krasniqi, Ylber Ramadani, Betim Haxhimusa, Viktor Kuka, Adnan Haxhaj dhe disa të tjerë. /Gazeta Tribuna/


