Please enter at least 3 characters.

Bllokadë në disa pika kufitare, transportuesit e mallrave sot në protestë

Për shkak të paralajmërimit të transportuesve për bllokadë, në vendin tonë do të mbyllen për qarkullimin e automjeteve të rënda pikat kufitare: Deve Bair, Dellçevë, Novo Sellë, Dojran, Bogorodicë, Mexhitli, Qafë Thanë, Bllatë dhe Bllacë, ndërsa Tabanoc–Preshevë do të mbyllet vetëm nga ana serbe.

Për shkak të vendosjes së sistemit të ri të hyrje-daljeve (EES) të Bashkimit Evropian, transportuesit nga Maqedonia e Veriut, si dhe nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, paralajmëruan se do të fillojnë një bllokadë shtatë ditore të pikave kufitare që çojnë drejt zonës Shengen. Kërkohet zgjidhje për problemin e evidentimit të qëndrimit në zonën Shengen, në përputhje me rregullin 90/180 ditë për shoferët profesionistë.

“Protesta në të katër shtetet do të fillojë në ora 12:00 për të gjitha automjetet që dalin nga vendi, ndërsa për automjetet që hyjnë në vend pikat kufitare do të mbyllen në ora 00:00, me qëllim që të gjithë ata që kthehen në shtëpi të mund të hyjnë dhe t’i bashkohen protestës. Kërkesa kryesore e transportuesve është të gjendet një zgjidhje që qëndrimi i shoferëve në zonën Shengen të mos evidentohet në ditë, ose t’u jepen viza të posaçme që nuk janë të kufizuara me numër ditësh”, deklaroi Biljana Muratovska, sekretare e përgjithshme e Shoqatës së shoqërive transportuese tregtare të Republikës së Maqedonisë “Makam-trans”.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi më herët se prej një viti po alarmojnë për problemin me transportuesit dhe evidencën elektronike në BE, duke theksuar se bëhet fjalë për një problem të madh ekonomik që mund të kolapsojë plotësisht ekonominë e Maqedonisë dhe atë rajonale.

“Edhe pse pata shkëmbime të ashpra argumentesh me përfaqësuesit e BE-së drejtpërdrejt në Bruksel, fatkeqësisht nuk hasa në mirëkuptim. Problemi është shumë serioz sepse do të ndikojë në sektorin e transportit në gjithë rajonin, si dhe te kompanitë eksportuese. Për momentin nuk ka zgjidhje, ndërsa Qeveria i kupton plotësisht transportuesit dhe bllokadat e paralajmëruara të pikave kufitare drejt vendeve Shengen”, tha Nikolloski.

Ai paralajmëroi se aktiviteti ekonomik do të ndalet nëse kompanitë eksportuese vendore nuk mund të eksportojnë dhe se ato do të bëhen jokonkurruese në tregun evropian nëse transporti shtrenjtohet për 3 deri në 5 për qind.

Nikolloski theksoi se në bisedimet në Bruksel ka përmendur si shembull rritjen e mundshme të çmimit të transportit për 5 për qind, gjë që do t’i bënte produktet vendore jokonkurruese në tregun evropian.

– Sistemi i hyrje-daljes (EES) i BE-së nuk sjell kërkesa të reja lidhur me qëndrimin afatshkurtër në zonën Shengen, deklaroi më 19 të këtij muaji zëdhënësi i Komisionit Evropian për çështje të brendshme, Markus Lammert, në lidhje me pretendimet e shoqatave të transportuesve nga Ballkani Perëndimor se EES “në thelb i lë punëtorët dhe shoferët e tyre pa punë”.

Lammert theksoi se EES synon vetëm zbatimin më të mirë të rregullave ekzistuese dhe zbulimin sistematik të parregullsive, duke shtuar se Komisioni Evropian po e ndjek nga afër çështjen dhe është në kontakt me partnerët nga Ballkani Perëndimor.
Ai nënvizoi se me EES nuk ka ndryshime në rregullat ekzistuese për qëndrimin në zonën Shengen.

“Sipas rregullave, shtetasit e vendeve të treta pa vizë kanë të drejtë të qëndrojnë në zonën Shengen gjithsej 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore. Çdo qëndrim përtej kësaj duhet të mbulohet me vizë afatgjatë ose leje qëndrimi të lëshuar nga një shtet anëtar”, tha Lammert.

Ai shtoi se rregullat e Shengenit tashmë ofrojnë fleksibilitet për transportuesit, veçanërisht për ata që e kalojnë shpesh kufirin në të njëjtën pikë.

“Personat që kanë leje lokale nuk janë të detyruar të regjistrohen në sistemin EES gjatë hyrjes. Nëse kjo bëhet gjatë kontrolleve të rastësishme kufitare varet nga shtetet anëtare në kufijtë e jashtëm, jo nga Komisioni. Rregullat për qëndrimin në zonën Shengen janë të qarta, nuk janë ndryshuar dhe përmbajnë një shkallë fleksibiliteti”, shtoi Lammert.