Please enter at least 3 characters.

Biblioteka personale e profesorit Shefki Sejdiu i dhurohet Bibliotekës së Qytetit të Podujevës

Biblioteka personale e profesorit të ndjerë Shefki Sejdiu i është dhuruar Bibliotekës së Qytetit të Podujevës, duke u bërë pjesë e fondit të saj me synimin për t’u shërbyer lexuesve dhe brezave të rinj.

Në ceremoninë e dorëzimit të këtij donacioni morën pjesë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valbona Ibishi-Azemi, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, si dhe profesori Jusuf Osmani.

Nënkryetari Restelica vlerësoi kontributin e profesorit Shefki Sejdiu në fushën e arsimit në Podujevë, duke theksuar se dhurimi i librave përfaqëson një trashëgimi të rëndësishme për qytetin.

“Ky dhurim librash bart një simbolikë të veçantë. Ai vazhdon misionin që profesori Shefki Sejdiu e kishte ndjekur gjatë gjithë jetës së tij përhapjen e dijes, kultivimin e leximit dhe edukimin e brezave të rinj”, tha Restelica.

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu, familjar i profesorit Shefki Sejdiu, bëri të ditur se kjo ishte porosia e fundit e profesorit, që librat e bibliotekës së tij personale t’u dhuroheshin Bibliotekës së Qytetit të Podujevës.

“Porosia e fundit e profesorit Shefki Sejdiu ishte që të gjitha librat që i posedonte të dhurohen për Bibliotekën e Podujevës. Ai ishte ndër profesorët e parë të angazhuar në Gjimnazin e qytetit të Podujevës, ku kontribuoi në arsimimin e shumë gjeneratave”, u shpreh Sejdiu.

Ndërkohë, profesori Jusuf Osmani ndau kujtime nga bashkëpunimi me profesorin Shefki Sejdiu, duke e përshkruar atë si një njeri modest dhe të përkushtuar në aktivitete arsimore e shoqërore.

Librat u dorëzuan në emër të familjes Sejdiu nga djali i profesorit, Pleurat Sejdiu, ndërsa titujt e bibliotekës personale do të vendosen në hapësirat e Bibliotekës së Qytetit të Podujevës, ku do të jenë në dispozicion të lexuesve. /Telegrafi/