BDI: 40 milionë euro kredi, investim monoetnik që diskriminon nxënësit dhe studentët shqiptar
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në një kumtesë për media thotë se e dënon ashpër vendimin e qeverisë për marrjen e kredisë prej 40 milionë euro për ndërtimin dhe renovimin e shkollave dhe konvikteve, e cila sipas BDI-së, në mënyrë të qëllimshme dhe të papranueshme është orientuar pothuajse tërësisht në qytetet maqedone.
"Investimet në arsim janë të mirëseardhura dhe të domosdoshme, por ato duhet të jenë të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të balancuara, duke reflektuar realitetin multietnik të shtetit dhe nevojat reale të të gjithë qytetarëve. Përjashtimi i shkollave dhe konvikteve me nxënës shqiptarë nga projektet kapitale në arsim përbën diskriminim institucional dhe shkelje të parimit të barazisë".
"Ky vendim nuk është as rastësi dhe as gabim teknik – është politikë e pastër diskriminuese, e cila synon të përjashtojë komunat shqiptare nga investimet kapitale dhe të rikthejë praktikat e vjetra të ndarjes etnike të buxhetit shtetëror".
"Qeveria po merr kredi në emër të të gjithë qytetarëve, përfshirë shqiptarët, por investimet po i orienton vetëm për një komunitet. Kjo është padrejtësi dhe shkelje e drejtpërdrejtë e parimeve kushtetuese të barazisë dhe bashkëjetesës", thonë nga BDI.
BDI kërkon publikimin e menjëhershëm të listës së projekteve përfituese; sqarimin e kritereve të ndarjes së mjeteve; nëse kjo padrejtësi vazhdon, qeveria mban përgjegjësi të plotë politike dhe morale për thellimin e ndarjeve në vend.


