Barcelona feston titullin para tifozëve - Yamal në qendër të festës
U zhvilluan ndeshjet e javës së parafundit, të 37-të në La Ligan, ku fokusi ishte te festa e titullit për Barcelonën, por edhe te përballjet interesante për pozitat evropiane dhe lufta për mbijetesë.
Barcelona e mbylli me humbje ndeshjen e fundit në shtëpi për këtë sezon, duke u mposhtur nga Villarreal me rezultatin 3:2. Ishte një ndeshje emocionuese, në një atmosferë festive dhe me lojë të qetë nga të dy skuadrat, që tashmë kishin siguruar objektivat sezonale.
Katalanasit, kampionë të rinj të Spanjës, kishin epërsi 2-1 në pjesën e parë, por “Nëndetësja e Verdhë” realizoi dy gola në pjesën e dytë, duke siguruar përmbysjen dhe tre pikët.
Humbja nuk prish festën në “Montjuic”. Menjëherë pas ndeshjes, u mbajt ceremonia zyrtare e ndarjes së kupës dhe medaljeve për lojtarët e Barcelonës.
Futbollistët festuan me tifozët në një atmosferë të zjarrtë, ku veçoi Lamine Yamal që mori një flamur të madh të klubit nga rojet e sigurisë dhe e valëviti në fushë.
Përveç kampiones Barcelona, Spanja do të përfaqësohet në Ligën e Kampionëve nga Real Madridi, Atletico Madridi, Athletic Bilbao dhe Villarreal. Real Betisi e ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës.
Në zonën e rënies, Valladolid dhe Las Palmas tashmë janë zyrtarisht jashtë elitës, ndërsa Leganes është më afër për të qenë skuadra e tretë që bie nga liga. /Telegrafi/


