Banorët ankohen për gjendjen e rrugës “Stokholmi” në Prishtinë, kërkojnë ndërhyrjen e Komunës
12/08/2026
Banorët e rrugës “Stokholmi” në Prishtinë, e cila lidhet me Rrugën C, rrethin e vogël dhe rrugën “Ndue Përleshi”, po ankohen për gjendjen e rënduar të rrugës dhe gropat e shumta që, sipas tyre, janë të pranishme prej kohësh.
Ata thonë se situata bëhet edhe më problematike gjatë reshjeve të shiut dhe motit të lig, kur gropat mbushen me ujë dhe vështirësojnë qarkullimin.
Sipas banorëve, dëmtimet në rrugë kanë ndikuar edhe në veturat e tyre, duke u shkaktuar probleme.
Banorët që kanë raportuar rastin në Telegrafi Prishtinë, bëjnë të ditur se shqetësimin e tyre e kanë adresuar edhe në Komunën e Prishtinës.
Ata kërkojnë nga institucionet komunale që të ndërhyjnë dhe të ndërmarrin masa për sanimin dhe rregullimin e rrugës. /Telegrafi/


