“Baku 2015”, rasti i parë që mundja ta kthejë namin
Për njërin prej mundësve sukses është medalja, ndërsa për tjetrin futja në zonën që siguron normën për Lojëra Olimpike "Rio 2016".
Por për të gjithë mundësit mision do të jetë kthimi i namit që kishte dikur mundja shqiptare.
Sipas listës së Komitetit Olimpik të Kosovës, që nuk është definitive, Kosovën në mundje do ta përfaqësojnë Kastriot Sedolli e Arlind Curri.
Por ka gjasë që në Baku për Kosovën të garojë edhe Edon Shala. Egzon Shala do ta përfaqësojë Shqipërinë.
Mundja është sporti i vetëm në të cilën shqiptarët kanë fituar medalje të artë olimpike. Këtë e kishte arritur Shaban Tërstena që është nga Maqedonia, ndërsa kishte përfaqësuar Jugosllavinë.
Mundësit shqiptarë nga Maqedonia kanë arritur sukseset më të mëdha ndër shqiptarë, por në fund të viteve tetëdhjeta dhe fillim të viteve nëntëdhjeta edhe mundësit kosovarë arritën suksese, sidomos në kategori të reja.
Më pas ky sport pësoi rënie.
Tani për nga sukseset është shumë prapa xhudos dhe thuajse në nivel të përafërt me sporte të tjera që do të jenë në Lojëra Evropiane, si për shembull boksi.


