Bad News Eagles do të përballet me ekipin fnatic në gjysmëfinale të turneut 128.000 dollarësh REPUBLEAGUE
Pas fitores ndaj ekipit forZe, tani ekipi shqiptar Bad News Eagles do të përballen me një kundërshtar të ri, për të siguruar finalen në turneun REPUBLEAGUE CS:GO.
Ndeshja Bad News Eagles ndaj ekipit fnatic, do të zhvillohet nesër (e martë) duke filluar nga ora 15:00, në formatin ‘Bo3’, dhe do të transmetohet në kanalin zyrtar të REPUBLEAGUE në platformën Twitch.
Kjo do të jetë hera e parë që këto dy ekipe do të takohen ndërmjet vete, ekipi fnatic së fundmi ka bërë ndryshime të shumta në formacion, ku nënshkroi dy lojtarët e ekipit Copenhagen Flames dhe suedezin HEAP.
Favorit i ndeshjes padyshim se është ekipi Bad News Eagles, të cilët për momentin renditen në vendin e 21 –të në ranglistën botërore të CS:GO, ndërsa ekipi fnatic renditet në vendin e 35 –të.
Fituesi i kësaj ndeshje do të kalojë në finale të REPUBLEAGUE, dhe do të siguroj çmimin prej 32.000 dollarësh. /Telegrafi/


