Autori i videos virale të sherrit në Ibiza me lojtarin anglez tregon si nisi përleshja
Një pushues ka zbuluar se gjithçka nisi me një "spërkatje agresive", përpara se të shpërthente përleshja e dhunshme pranë një pishine në Ibiza, ku futbollisti i Oldhamit, Kian Harratt, u pa duke hedhur një karrige ndaj një gruaje.
Pamjet u bënë virale dhe treguan momentin kur Harratt ndërhyri në një sherr në hotelin “Marco Polo” në San Antonio, duke pretenduar se po mbronte shokun e tij të sulmuar.
Por Brandon Watkins, një pushues tjetër i pranishëm në vendngjarje, tha për MailOnline se grupi i Kianit “po kërkonte sherr” dhe se nuk kishte asnjë provokim fizik ndaj tyre.
Sipas Watkins, gjithçka ndodhi në ditën e pestë të pushimeve të tij, kur disa të rinj filluan të silleshin keq me të tjerët rreth pishinës. Njëri prej tyre hyri në ujë pranë tij dhe e spërkati në mënyrë agresive, duke e fyer kur ai reagoi.
Ai pretendon se Harratt u përfshi papritur, mori një karrige dhe e hodhi drejt një gruaje që përpiqej të ndalte sherrin. Gruaja pësoi një dëmtim në këmbë, ndërsa Kian dhe grupi i tij u dëbuan nga hoteli pa kërkuar falje.
Një mike e gruas së lënduar tha se skena ishte “masakër” dhe se shoqja e saj u përfshi vetëm për të qetësuar situatën. “Kian i foli asaj në mënyrë të neveritshme, ndërsa Brandon ndërhyri nga respekti,” shtoi ajo.
Harratt kërkoi më pas falje duke thënë se “ndihej keq”, por më vonë nënkuptoi se gruaja e lënduar po e ekzagjeronte.
Reagimi i tij u kritikua nga të pranishmit, të cilët thanë se pendesa e tij ishte e shtirur.
Në të kaluarën, Harratt është gjobitur për gjueti ilegale dhe pezulluar nga futbolli për baste të paligjshme.
Megjithatë, ai ka qenë protagonist në fushë, duke shënuar golin fitues për Oldhamin në finalen e “play-off”-it të Ligës Kombëtare në Wembley këtë muaj. /Telegrafi/


