Autorët që pranojnë se e përdorin IA-në
Nga: Annabel Nugent / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com
Inteligjenca artificiale [IA] është anatemë për shumë autorë. Në fund të fundit, çfarë është të shkruarit nëse jo një punë e bërë me dashuri, zenit i shprehjes njerëzore? Në luftën kundër robotëve, ai mendohej të ishte bastioni i fundit i krijimtarisë. E megjithatë, ja ku jemi ... shtrirja me tentakula e IA-së ka filluar të depërtojë në raftet tona të librave.
Historitë për autorë që përdorin IA-në, të cilat kanë filluar të shfaqen gjithnjë e më shpesh ndërsa ky softuer po bëhet më i zakonshëm, shpesh priten me mosbesim. Më tronditësi ishte raporti i muajit mars nga The New York Times, sipas të cilit romani shumë i përfolur horror i një autoreje, me titull Vajza e turpshme [Shy Girl], do të tërhiqej nga një botues i madh pasi u zbulua përdorimi i supozuar i IA-së. Autorja e tij, Mia Ballard, ka mohuar se e ka përdorur personalisht IA-në për të shkruar romanin, duke i thënë gazetës se një i njohur, të cilin ajo e kishte punësuar për të punuar mbi një version të hershëm të vetëbotuar, kishte përfshirë mjete të IA-së. Pak më vonë, The New York Times ndërpreu bashkëpunimin me një gazetar të jashtëm, pasi zbuloi se ai kishte përdorur IA-në për ta ndihmuar në shkrimin e një recensioni libri.
Disa muaj më vonë, polemika përfshiu revistën letrare Granta, pasi një platformë për zbulimin e IA-së sugjeroi se fituesi i konkursit të saj për tregim të shkurtër ishte produkt i dyshuar i IA-së. Olga Tokarczuk, fituese e Çmimit Nobel dhe autore e romanit Kaloje plugun mbi eshtrat e të vdekurve [Drive Your Plow Over the Bones of the Dead], shkaktoi polemika kur, gjatë një interviste në skenë, zbuloi se i kërkon ndihmë makinës - të cilës i referohej me përkëdheli si “loçkë” - për zhvillimin e personazheve të romaneve të saj, duke e pyetur se çfarë lloj muzike do të dëgjonin ata. Reagimi ishte aq i madh, saqë më pas ajo publikoi një deklaratë duke këmbëngulur se e përdorte teknologjinë vetëm për kërkime.
Është mjaft e lehtë të kuptohet pse shkrimtarët do të josheshin nga IA-ja. Ju duhet një sinonim? Pyetni IA-në. Jeni bllokuar se si ta përfundoni një fjali? Pyetni IA-në. Keni një afat për dorëzim? IA-ja mund të ndihmojë edhe për këtë. Por, për shumë shkrimtarë, IA-ja është gjithashtu një kërcënim ekzistencial, i tillë që ata besojnë se rrezikon burimin e tyre të jetesës. Një studim i vitit të kaluar i Universitetit të Kembrixhit zbuloi se më shumë se gjysma e romancierëve britanikë besojnë se IA-ja do t’i zëvendësojë në punën e tyre si shkrimtarë të letërsisë.
Kryetitujt janë kompromentues, duke lënë të kuptohet se IA-ja dhe autorët thjesht nuk përputhen. Por, i njëjti studim tregoi se një e treta e romancierëve të anketuar britanikë tashmë po e përdorin IA-në gjeneruese në procesin e tyre të shkrimit - dhe këta janë vetëm ata që e pranojnë. Shejtani tashmë ka dalë nga shishja, por pranimi i përdorimit të këtyre mjeteve, qoftë edhe në çfarëdo mënyre, mbetet ende tabu për autorët. Por, a duhet të jetë kështu? A ekziston një botë tjetër në të cilën IA-ja mund të vihet në shërbim për të ndihmuar, në vend që të dëmtojë botën e librit?
Disa autorë mendojnë se po. Anthony Horowitz, romancieri dhe skenaristi bestseller, i njohur për seritë Aleksa Rajderi [Alex Rider] dhe Vrasësit e Midsomerit [Midsomer Murders], është më optimist sesa mund të sugjerojë atmosfera e errët e veprave të tij. “IA-ja mund të jetë një shoqe e mrekullueshme ... megjithëse e rrezikshme,” paralajmëron ai.
Autori u bë kryefjalë e mediave në maj, kur pranoi se e përdor ChatGPT-në “gjatë gjithë kohës” si pjesë të procesit të tij të punës. Sot ai dëshiron të sqarojë se për cilën pjesë të procesit bëhet fjalë. “Vetëm për kërkime,” thotë ai tani. “Nuk do të vendosja kurrë dy fjalë të gjeneruara nga IA-ja pranë njëra-tjetrës.” Horowitzi nuk ndihet në siklet që e përdor IA-në në këtë mënyrë. “Nuk kam absolutisht kurrfarë turpi që e përdor,” thotë ai. “Do të ishte marrëzi të hiqje dorë nga një burim kaq i jashtëzakonshëm.”
Kryesorja, ky nuk është kurrë burimi i tij i vetëm. Në mes të bisedës sonë telefonike, Horowitzi kërkon ndjesë për t’iu përgjigjur ziles së derës, sepse ka ardhur një pako. Pakoja që mbërrin lidhet, në fakt, drejtpërdrejt me bisedën tonë: një kopje e librit Mbijeto: Berlini, 1939-1945 [Stay Alive: Berlin, 1939-1945] nga Ian Buruma. Është një nga dhjetëra librat me të dhëna historike që Horowitzi po lexon për romanin e tij të ri historik. “Burimi im i parë i dijes dhe informacionit mbeten ende librat,” thotë ai. “Mund ta rrotulloj kamerën dhe t’ju tregoj gjithë librat që kam lexuar deri tani.”
Horowitzi e lexon një fragment nga romani i tij i ardhshëm, ku përshkruhet mbërritja e një gruaje dhe një djali në aerodromin e Krojdonit. “IA-ja më tha, para së gjithash, se Aerodromi i Krojdonit ishte emri i aeroportit në vitin 1933, kur zhvillohet ngjarja, dhe gjithashtu më tha se një pasagjer, pasi zbriste nga aeroplani, shkonte fillimisht në një stacion mjekësor ku kontrollohej për sëmundje që mund të importoheshin nga vende të tjera,” thotë ai. “Këto janë dy gjërat që i mora nga IA-ja. Përshkrimin e pasaportës? Atë e mora nga një libër. Dhe, pjesa tjetër, lidhja mes nënës dhe djalit, është thjesht e imja. Pra, e shihni, edhe në atë fragment të vogël keni tri burime: IA-në, librat dhe mua si shkrimtar.”
Horowitzi verifikon çdo informacion që IA-ja i jep. Atij iu kujtua se sa e gabueshme mund të jetë teknologjia kur i kërkoi asaj përmbledhjen e subjektit të njërit prej romaneve të tij. “Ma dha gabim. Mendova: uau, nëse një kirurg i zemrës do të përdorte IA-në për të gjetur ventrikulin e poshtëm ... në çfarë bote do të jetonim?”
Një pjesë e arsyes pse IA-ja është një temë kaq e debatueshme në botën letrare është se shumë modele të IA-së janë trajnuar, pa leje, mbi veprat e autorëve. Në mars, rreth dhjetë mijë autorë, përfshirë emrat si Kazuo Ishiguro, Jeanette Winterson dhe Richard Osman, botuan së bashku një libër “bosh” në shenjë proteste kundër përdorimit të veprave të tyre nga IA-ja. Më herët këtë vit, pesë botues të mëdhenj, përfshirë Hachette dhe Macmillan, paditën Meta-n për shkelje të së drejtës së autorit, duke pretenduar se miliona vepra, nga romanet deri te tekstet shkollore, ishin piratuar për të trajnuar modelin e saj të IA-së, Llama. Meta ka mohuar çdo shkelje.
Horowitzi pret që romanet e tij të jenë përdorur për trajnim të modeleve të IA-së. Mund të mendoni se përdorimi i IA-së e bën atë bashkëpërgjegjës në vjedhjen e veprës së vet, por ai nuk shqetësohet për këtë. “Nëse do ta jetonit jetën në atë mënyrë, nuk do të hanit asgjë. Nuk do të vishnit asgjë. Në të vërtetë, nuk do të bënit pothuajse asgjë, sepse çdo gjë që kemi rreth nesh është, në njëfarë mënyre, e komprometuar. Dhe, kjo është bota ku jetojmë,” thotë ai, duke shtuar se ka “simpati të jashtëzakonshme” për kolegët e tij autorë që ndodhen në të njëjtën situatë.
Ai nuk shqetësohet as nga zërat se autorët e krijuar nga IA-ja mund t’i zëvendësojnë plotësisht njerëzit. “Për mua, nuk është një shqetësim i madh, sepse IA-ja nuk mund ta bëjë këtë aq mirë sa unë,” thotë ai. “Ne jemi më të mirë se IA-ja.”
Por, kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund të japë një dorë ndihme. Edhe gazetarja dhe autorja Katie Prescott e konsideroi IA-në jashtëzakonisht të vlefshme gjatë shkrimit të biografisë së saj bestseller, Rasti i çuditshëm i Majk Linçit: Jeta dhe vdekja e pabesueshme e miliarderit të teknologjisë [The Curious Case of Mike Lynch: The Improbable Life & Death of a Tech Billionaire], kushtuar sipërmarrësit të ndjerë britanik të teknologjisë dhe themeluesit të kompanisë pioniere të IA-së, Autonomy. I quajtur “Bill Gatesi britanik,” suksesi i Lynchit u errësua nga akuzat për mashtrim masiv në kontabilitet, të cilat më pas çuan në një dekadë procesesh gjyqësore dhe një gjykim tepër të rëndë, në përfundim të të cilit ai u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për mashtrim, vetëm që të humbiste jetën disa javë më vonë në një aksident me jahtin e tij.
“Isha vërtet, vërtet me fat që kisha IA-në,” thotë Prescotti. “Isha nën një presion të jashtëzakonshëm kohor dhe përballesha me male informacioni, diçka si dy mijë faqe vendimesh shumë komplekse të kontabilitetit. Dhe, në themel të atyre vendimeve qëndronin transkriptet e njërit prej proceseve më të gjata dhe më komplekse gjyqësore në historinë juridike britanike.” Për ta ndihmuar veten, Prescotti ngarkoi burimet e saj në Google NotebookLM - një mjet i IA-së që funksionon si një asistent personal kërkimor jashtëzakonisht inteligjent. Pyeteni për çfarëdo që dëshironi në lidhje me materialet që keni ngarkuar dhe ai do t’ju japë një përgjigje të saktë. Madje mund ta shndërrojë përmbajtjen e dokumenteve tuaja në një podkast çuditërisht realist.
NotebookLM i mundësoi Prescottit të zbulonte detaje të imëta në këto dokumente - copëza të vogla thashethemesh nga industria që, me shumë gjasë, nuk do t’i kishte gjetur kurrë ndryshe. Si, për shembull, një prezantim tepër i pazakontë me temën Uini-Pu [Winnie-the-Pooh], që Lynchi dhe ekipi i tij kishin mbajtur. Modeli gjuhësor (LM) gjeti përmendje të tij në tri referenca, në dukje të parëndësishme, në transkriptet e intervistave me persona dytësorë të përfshirë në gjyq, materiale të cilat Prescotti nuk do t’i kishte lexuar domosdo nga fillimi në fund. “Nuk është diçka që do ta kishe gjetur nëse do të bëje kërkime të zakonshme me fjalë kyçe,” thotë ajo.
Në recensionet e librit të saj, kërkimi i Prescottit përshkruhet si “i përpiktë.” Avokatët, nga të dyja palët e procesit, mbetën sinqerisht të mahnitur nga shpejtësia me të cilën ajo arriti të përthithte dhe të analizonte sasinë e pakapërcyeshme të informacionit që i ishte vënë në dispozicion. “Kujtesa e tyre për çështjen përbëhet nga mure të tëra dosjesh,” thotë ajo. “Avokatët e rinj duhej të gjenin dosjen e duhur për të gjetur informacionin e duhur. Ata thanë se kjo u kishte marrë 10 vjet.”
Megjithatë, ashtu si për Horowitzin, edhe për Prescottin IA-ja është vetëm një shtesë në punën e saj; nuk është zëvendësim. “Është mjet. Nuk do ta bëjë punën time në vendin tim,” thotë ajo. “Natyrisht që nuk mund të shkruash një libër vetëm mbi bazën e informacionit. Këtë mund ta bësh vetëm duke folur me njerëzit; m’u desh të ndërtoja shumë besim, të përdorja lidhjet e mia si gazetare e teknologjisë, të nënshkruaja marrëveshje konfidencialiteti (NDA), me pak fjalë, gjithçka që përbën gazetarinë bazë. Pikërisht ato gjëra që IA-ja nuk mund t’i bëjë.”
Si Horowitzi, ashtu edhe Prescotti e bëjnë të qartë se asnjëri prej tyre nuk e përdor IA-në për qëllime krijuese, duke e kufizuar përdorimin e saj te kërkimi dhe organizimi. Por, disa autorë janë gjithashtu kureshtarë për aftësitë imagjinative të IA-së. Autori i romaneve kriminale Ajay Chowdhury, i njohur më së shumti për serinë e tij me protagonistin Kamil Rahman, që zhvillohet në vende të ndryshme të botës, eksperimentonte me IA-në në punën e tij që në vitin 2023. Sot, ai vlerëson se e përdor IA-në më shumë se kurrë.
Më shumë se një kërkim i thjesht, për të cilin gjithashtu e përdor, IA-ja i shërben Chowdhuryt si një redaktor i parë i dorëshkrimit dhe si një bashkëbisedues për të testuar idetë - dikush, ose diçka, me të cilin mund të shkëmbejë mendime. “E mendoj si një redaktor që është gjithmonë në dispozicion,” thotë ai. “Kështu që zhvilloj me të të njëjtin lloj bisede që do të bëja me redaktorin tim të vërtetë: ‘Shiko, jam bllokuar pak këtu; çfarë mendon se duhet të bëj?’ Pastaj shkëmbejmë disa ide. Tani, 95 për qind e asaj që del do ta hedh poshtë, por herë pas here del diçka që ndez një ide për një drejtim që mund të ndjek.”
Megjithëse Chowdhury nuk e përdor IA-në për të shkruar romanet e tij - “së pari, nuk mendoj se shkruan shumë mirë dhe, së dyti, ku është kuptimi i kësaj?” - ai e ka përdorur ChatGPT-në për të gjeneruar variante të mundshme për zhvillimin e disa skenave, si për shembull mënyrën se si një i burgosur mund t’i shpëtojë kurthit të një vrasësi duke përdorur vetëm pleh dhe vegla kopshtarie. E ka përdorur gjithashtu për të ristrukturuar pjesë të tekstit, me qëllim të përmirësimit të ritmit të rrëfimit, si edhe një faqe për gjenerimin e imazheve për të nxitur imagjinatën e tij. Ai kërkon edhe mendime, duke u kujdesur ta formulojë kërkesën në mënyrë që përgjigjja të jetë e sinqertë dhe jo servile (dihet se çetbotët kanë një paragjykim konfirmues, që i bën tepër lajkatues). Dhe, në shumicën e rasteve, komentet që merr përputhen me ato që do t’i thoshte redaktori i tij te Penguin-i. “Megjithëse, sigurisht, redaktori im i vërtetë është më i mirë!” Për Chowdhuryn, një pjesë e madhe e kësaj ka të bëjë me rritjen e efikasitetit të procesit të shkrimit.
Vlen të theksohet se si Chowdhury, ashtu edhe Prescotti kanë formim në fushën e teknologjisë, gjë që mund të shpjegojë besimin e tyre në përdorimin e këtyre mjeteve. Ndoshta dyshimi ndaj autorëve që përdorin IA-në pasqyron një mosbesim më të gjerë ndaj vetë kësaj teknologjie dhe ndaj asaj që ajo nënkupton për punën krijuese. Kjo ngre gjithashtu pyetje për anashkalimin e procesit krijues - diçka që është konsideruar gjithmonë si thelbësisht njerëzore. Por, ajo që është e qartë është se IA-ja nuk do të zhduket së shpejti. Disa shkrimtarë vazhdojnë ta shmangin plotësisht; të tjerë do të përshtaten sipas kushteve që ende janë duke i përcaktuar vetë. /Telegrafi/


