Please enter at least 3 characters.

Autofagjia pas moshës 60 vjeç: Mund të ketë edhe efekte të padëshiruara

Autofagjia vitet e fundit është bërë një nga temat më të përfolura kur flitet për dobësimin dhe plakjen e shëndetshme. Megjithatë, është e rëndësishme të dihet se autofagjia dhe agjërimi i ndërprerë nuk janë e njëjta gjë

Agjërimi i ndërprerë, i njohur edhe si intermittent fasting, është një mënyrë ushqyerjeje që përfshin periudha pa konsumim ushqimi. Ndërsa autofagjia është një proces natyror në qelizat e organizmit, gjatë të cilit largohen dhe riciklohen komponentët qelizorë të dëmtuar ose të panevojshëm. Periudhat e urisë mund ta nxisin autofagjinë, por ajo nuk fillon te të gjithë njerëzit në të njëjtën kohë dhe nuk është efekti i vetëm i agjërimit.

Për këtë arsye, ekspertët paralajmërojnë se këta terma shpesh përdoren gabimisht si sinonime, edhe pse autofagjia është në të vërtetë një proces kompleks biologjik, ndërsa agjërimi i ndërprerë është vetëm një nga mënyrat që mund ta aktivizojë atë.

Një studim i ri tregon se mosha ndikon dukshëm në mënyrën se si organizmi reagon ndaj këtij regjimi ushqimor. Edhe pse agjërimi i ndërprerë mund të ndihmojë në humbjen e peshës, pavarësisht moshës, te personat më të moshuar mund të sjellë edhe disa pasoja të padëshiruara që shumë nuk i presin.

Organizmi nuk reagon njësoj në moshën 30 dhe 60 vjeç

Agjërimi i ndërprerë zakonisht zbatohet në dy mënyra. Njëra nënkupton që të gjitha vaktet të konsumohen brenda tetë orëve, ndërsa gjatë 16 orëve të tjera nuk hahet. Modeli tjetër, i njohur si dieta 5:2, bazohet në ushqyerje normale pesë ditë në javë dhe ulje të ndjeshme të kalorive gjatë dy ditëve të mbetura.

Një analizë e re, e publikuar në revistën shkencore Nutrients, përfshiu 28 studime klinike me më shumë se 1.800 të rritur. Rezultatet treguan se agjërimi i ndërprerë çon në ulje të peshës trupore dhe indeksit të masës trupore, BMI, te shumica e pjesëmarrësve, pavarësisht gjinisë dhe moshës.

Megjithatë, studiuesit zbuluan se ndryshimet metabolike që shoqërojnë humbjen e kilogramëve nuk janë të njëjta te personat më të rinj dhe ata më të moshuar. Ndërsa organizmi i një personi më të ri zakonisht i përballon më lehtë periudhat pa ushqim, te njerëzit më të moshuar pasojat mund të jenë më komplekse, transmeton Telegrafi.

Humbja e kilogramëve nuk do të thotë gjithmonë shëndet më i mirë

Një nga gjetjet më të rëndësishme të studimit lidhet me përbërjen e peshës së humbur. Kur dobësohemi, qëllimi është që organizmi të shfrytëzojë rezervat dhjamore dhe jo muskujt. Megjithatë, studiuesit konstatuan se një pjesë e konsiderueshme e kilogramëve të humbur gjatë agjërimit të ndërprerë mund të vijë pikërisht nga humbja e masës muskulore.

Dihet se gjatë procesit të dobësimit, 20 deri në 30 për qind e peshës së humbur shpesh i përket muskujve. Në njërin nga studimet e analizuara, madje 65 për qind e masës së humbur trupore përbëhej nga indi pa yndyrë, përkatësisht muskujt.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme për personat mbi 60 vjeç, sepse me kalimin e moshës ndodh natyrshëm ulja graduale e masës dhe forcës muskulore. Ky proces, i njohur si sarkopeni, mund të rrisë rrezikun për rrëzime, fraktura, lëvizshmëri të kufizuar dhe humbje të pavarësisë.

Me fjalë të tjera, një person mund të jetë i kënaqur me numrin më të ulët në peshore, por në të njëjtën kohë të ketë humbur një pjesë të muskujve që janë thelbësorë për ruajtjen e shëndetit dhe vitalitetit.

Si të ruhen muskujt gjatë agjërimit të ndërprerë

Lajmi i mirë është se humbja e masës muskulore nuk është e pashmangshme. Gjithnjë e më shumë studime tregojnë se kombinimi i agjërimit të ndërprerë me aktivitet fizik, veçanërisht me ushtrime force, mund të ulë ndjeshëm rrezikun e humbjes së muskujve.

Shkencëtarët kanë konstatuar se personat që gjatë agjërimit të ndërprerë kanë ushtruar rregullisht, nuk kanë humbur masë muskulore në të njëjtën masë si ata që nuk kanë qenë fizikisht aktivë.

Në një studim, pjesëmarrësit që kombinuan agjërimin alternativ me ushtrime humbën rreth gjashtë kilogramë peshë trupore, prej të cilëve rreth pesë kilogramë ishin nga rezervat dhjamore, ndërsa masa muskulore pothuajse nuk u cenua.

Prandaj, ekspertët rekomandojnë marrje të mjaftueshme të proteinave dhe ushtrime të rregullta force për të gjithë ata që vendosin të ndjekin këtë regjim ushqimor, veçanërisht pas moshës 50 vjeç.

Gjetje e papritur: Rritja e kolesterolit LDL

Edhe pse agjërimi i ndërprerë shpesh lidhet me përmirësimin e shëndetit metabolik, studiuesit u befasuan edhe nga një rezultat tjetër. Te një numër i madh pjesëmarrësish u regjistrua rritje e kolesterolit LDL, i njohur si kolesteroli “i keq”.

Kjo gjetje tërhoqi vëmendje të veçantë, sepse disa studime të mëparshme kishin treguar efekt të kundërt. Autorët e studimit paralajmërojnë se personat që praktikojnë agjërimin e ndërprerë nuk duhet t’i neglizhojnë kontrollet e rregullta laboratorike.

Edhe kur vërehet përmirësim i peshës trupore, nivelit të sheqerit në gjak ose triglicerideve, është e rëndësishme të ndiqen edhe vlerat e kolesterolit, në mënyrë që të vlerësohet ndikimi i përgjithshëm i këtij regjimi ushqimor në shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut.

Agjërimi i ndërprerë mund të jetë i dobishëm, por jo për të gjithë njësoj

Rezultatet e hulumtimit nuk nënkuptojnë se duhet hequr dorë nga agjërimi i ndërprerë apo nga përpjekjet për të aktivizuar autofagjinë. Përkundrazi, studimi konfirmon se kjo qasje mund të jetë një mjet efektiv për kontrollin e peshës trupore.

Megjithatë, ai tregon edhe se nuk ekziston një zgjidhje universale që u përshtatet të gjithëve në të njëjtën mënyrë. Ndërsa personat më të rinj zakonisht i përballojnë më lehtë periudhat e urisë, te personat më të moshuar duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje ruajtjes së masës muskulore, marrjes së proteinave dhe ndjekjes së rregullt të parametrave shëndetësorë.

Kjo nuk është zgjidhje magjike për shëndetin dhe jetëgjatësinë

Vitet e fundit, autofagjia shpesh paraqitet si një mekanizëm pothuajse magjik që ngadalëson plakjen dhe mbron nga shumë sëmundje. Edhe pse shkenca konfirmon se ky proces ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit të qelizave, ekspertët paralajmërojnë se nuk duhet pritur mrekulli.

Agjërimi i ndërprerë mund të ndihmojë në humbjen e peshës dhe në përmirësimin e disa parametrave metabolikë, por ndikimi i tij varet nga mosha, gjendja fizike dhe shëndeti i përgjithshëm.

Prandaj, ai duhet parë si një nga mjetet për ruajtjen e shëndetit, krahas ushqyerjes së rregullt, aktivitetit fizik, gjumit cilësor dhe kontrolleve të rregullta mjekësore, e jo si recetë universale për jetëgjatësi dhe peshë ideale. /Telegrafi/