Aston Martin ishte i pari që mori Apple CarPlay Ultra
CarPlay Ultra është gjenerata e ardhshme e ndërfaqes së Apple për automjete, dhe ky sistem tashmë është pjesë e veturave të reja të Aston Martin në SHBA dhe Kanada. Gjatë javëve në vijim, përmes një përditësimi, do të vijë edhe në të gjitha modelet ekzistuese që përdorin sistemin më të ri multimedial të këtij brendi.
CarPlay Ultra zgjeroi mundësitë e CarPlay-t klasik për të ofruar përvojën më të integruar dhe më të personalizuar deri më tani për përdorimin e iPhone-it në automjet. Sistemi i ri shfaq informacione në të gjitha ekranet, përfshirë edhe panelin e instrumenteve, pa cenuar stilin vizual të prodhuesit.
Brende të tjera po përgatiten për këtë sistem, përfshirë Hyundai, KIA dhe Genesis. Zgjidhjet e reja vizuale përfshijnë matësin e shpejtësisë, tahometrin, nivelin e karburantit, temperaturën dhe indikatorë të tjerë, duke krijuar një ndërfaqe unike dhe koherente. Përdoruesit do të mund të shfaqin të dhëna nga iPhone-i i tyre (si navigimi apo muzika), si dhe informacione nga vetura, si sistemet e ndihmës në drejtim apo presioni në goma.
Funksionet kontrollohen përmes ekranit me prekje, butonave fizikë dhe asistentit zanor Siri. Kjo mbulon elementet standarde si parashikimi i motit, ndërrimi i stacioneve radio, por edhe funksione më të avancuara si përshtatja e tingullit apo performanca e ndërruesit të shpejtësive. Gjithashtu ka mbështetje për pamjet e iPhonet, të përshtatura për përmasat dhe formatin e ekranit të automjetit.
Ndërfaqja e re CarPlay Ultra mbulon të gjitha ekranet në veturë dhe mbështet lidhjen me iPhone 12 e më të rinj, të cilët përdorin iOS 18.5 ose version më të ri.
CarPlay Ultra u jep kompanive mundësinë të krijojnë ndërfaqe me dizajn të brenduar sipas identitetit të tyre. Apple bashkëpunon me dizajnerët e prodhuesve të veturave për të zhvilluar tema vizuale që e bëjnë ndërfaqen më unike dhe që theksojnë karakterin e secilit model. Përdoruesit mund të zgjedhin ngjyrat dhe sfondet për të krijuar një dizajn sipas shijes së tyre.
CarPlay Ultra është një përmirësim i CarPlay-it standard, i cili është bërë pjesë e veturave moderne, ashtu si edhe Android Auto. Apple thekson nivelin e lartë të mbrojtjes së të dhënave, dhe të gjitha parimet e privatësisë të zbatuara në iPhone aplikohen gjithashtu edhe për CarPlay Ultra. /Telegrafi/


