ASK: Mbi 405 mijë fëmijë pranuan shtesa financiare në prill të këtij viti
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Mirëqenies Sociale për muajin prill 2026, duke paraqitur numrin e përfituesve dhe vlerën e mjeteve të shpenzuara sipas kategorive të skemave sociale.
Sipas ASK-së, numri më i madh i përfituesve gjatë prillit 2026 është regjistruar te skema e shtesave për fëmijë, me 405,722 përfitues, ndërsa pagesat për këtë skemë kanë arritur në 14,707,200 euro.
Në total, vetëm për kategoritë e përfshira në publikim, shuma e mjeteve të shpenzuara arrin në 77,328,964.83 euro.
Skema me pagesën më të lartë vazhdojnë të jenë pensionet e moshës. Pensionet bazike të moshës kanë pasur 164,187 përfitues, me pagesa në vlerë 25,994,170 euro. Ndërkaq, pensionet kontributpaguese të moshës kanë pasur 48,076 përfitues, me pagesa 11,746,435.20 euro.
ASK raporton edhe për kategoritë e tjera, përfshirë pensionet parciale kontributpaguese, pensionet e personave me aftësi të kufizuara, skemat e dala nga lufta, veteranët, skemën e ndihmës sociale dhe programe të tjera të veçanta.
Të dhënat sipas kategorive (Prill 2026)
Pensionet bazike të moshës: 164,187 përfitues – 25,994,170.00 €
Pensionet kontributpaguese të moshës: 48,076 – 11,746,435.20 €
Pensionet parciale kontributpaguese të moshës: 10,836 – 2,340,301.56 €
Pensionet e personave me aftësi të kufizuara: 21,535 – 3,494,300.00 €
Pensionet e Trepçës: 813 – 124,286.40 €
Pensionet e Forcave të Sigurisë së Kosovës: 964 – 480,431.00 €
Pensionet e Trupave Mbrojtëse të Kosovës: 1,382 – 293,088.00 €
Skema e të verbërve: 1,914 – 522,150.00 €
Pensionet familjare: 2,409 – 366,270.00 €
Pensionet e invalidëve të punës: 24 – 3,600.00 €
Pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike: 3,505 – 1,338,675.00 €
Skema e kompensimit për punëtorët e arsimit (90/91–98/99): 15,262 – 1,338,146.00 €
Pensionet e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës: 12,432 – 3,773,262.23 €
Veteranët: 39,034 – 7,862,667.44 €
Skema e ndihmës sociale: 15,414 – 2,296,732.00 €
Përkrahje financiare për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara: 4,314 – 647,250.00 €
Skema e shtesave për fëmijë: 405,722 – 14,707,200.00 €
Fokus te të moshuarit, kategoritë e luftës dhe familjet në nevojë
ASK thekson se, sipas strukturës së përfituesve në prill 2026, skemat e mirëqenies sociale “kryesisht kanë në fokus mbështetjen e të moshuarve, kategoritë e dala nga lufta dhe familjet në nevojë”, ndërsa pjesa tjetër e skemave mbulon kategori specifike si pensionet familjare, pensionet paraplegjike e tetraplegjike, pensionet e FSK-së, pensionet e Trepçës dhe programet për shtesat për fëmijë.


