Arti pamor dhe zhvillimi i artistëve - lansohet programi ndërkombëtar për ekonominë kreative
Është lansuar programi i ri për zhvillimin e ekonomisë kreative i cili synon të mbështesë brezin e ri të galeristëve, kuratorëve dhe sipërmarrësve kulturorë në Kosovë, Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke ndërtuar ura reale bashkëpunimi mes talentit lokal dhe tregut ndërkombëtar të artit.
Gjatë konferencës së lansimit u prezantua struktura e programit si dhe modulet e trajnimit që përfshijnë menaxhimin e galerive komerciale, praktikën kuratoriale, sipërmarrjen kulturore dhe zhvillimin e shkathtësive profesionale (soft skills).
Punëtoritë për galeritë komerciale dhe tregun e artit udhëhiqen nga Olivier Durey (Mbretëria e Bashkuar), në bashkëpunim me Gazmend Ejupi (Prishtina Biennale), ndërsa moduli i shkathtësive të buta realizohet nga Besa Zogaj-Gashi dhe Gent Sejdiu (IETL).
Udhëheqësja e projektit, Besa Zogaj-Gashi theksoi rëndësinë e këtij programi për sektorin e arteve pamore në rajon: “Sot po hapim një mundësi konkrete për profesionistët e rinj të arteve pamore dhe kulturës, duke krijuar një urë reale mes talentit lokal dhe tregut ndërkombëtar. Ky projekt adreson drejtpërdrejt një boshllëk të madh në sektor – mungesën e njohurive praktike për funksionimin e galerive komerciale dhe qasjen reale në treg”.
Ajo bëri të ditur se brenda vetëm tre javësh janë pranuar 130 aplikime nga Kosova dhe Shqipëria, çka dëshmon interesimin e lartë dhe nevojën reale për zhvillim profesional në këtë fushë.
Sipas saj, programi trajton artin pamor jo vetëm si shprehje kulturore, por si aktivitet ekonomik të strukturuar, duke u fokusuar në njohjen e modeleve të tregut të artit, çmimeve, kontratave, menaxhimit të ekspozitave dhe ndërtimit të marrëdhënieve profesionale.
Një theks i veçantë i kushtohet zhvillimit të aftësive të buta, si komunikimi profesional, negocimi, lidershipi dhe menaxhimi i projekteve artistike – aftësi thelbësore për sukses afatgjatë në tregun ndërkombëtar.
Ndërsa, trajneri Olivier Durey ka thënë se ky trajnim synon të ofrojë një qasje themelore dhe gjithëpërfshirëse duke nisur nga ndërtimi i një brendi, krijimi i një galerie, zhvillimi i një programi artistësh, si dhe ndërtimi i një programi për galerinë.
"Më pas do të trajtohen aspektet praktike të menaxhimit dhe funksionimit të një galerie”, ka thënë ai.
Edhe Majlinda Mazelliu, drejtoreshë e British Council për Kosovë dhe Shqipëri theksoi se Fondi i Zhvillimit të Ekonomisë Kreative për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar përfaqëson më shumë sesa një instrument financiar.
“Ky fond është një vizion i përbashkët për fuqizimin e talenteve kreative, ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe shndërrimin e kreativitetit në një motor të qëndrueshëm të zhvillimit ekonomik dhe social”.
Ajo vuri në pah rolin strategjik të industrive kreative, potencialin e jashtëzakonshëm të rajonit dhe rëndësinë e partneritetit me Mbretërinë e Bashkuar, një nga ekosistemet më të zhvilluara të ekonomisë kreative në botë.
Ky program është i mbështetur nga British Council, përmes Western Balkans–UK Creative Economy Sector Skills Development Fund. Programi zbatohet nga Instituti i Ekonomisë së Tregut të Lirë (IETL), në partneritet me Prishtina Biennale, Tulla Culture Centre (Tiranë) dhe galerinë britanike Larkin Durey. /Telegrafi/


