Arta Bilalli-Zendeli: BDI më e fortë se kurrë, VLEN-i është mashë në duart e OBRM-PDUKM-së
Nënkryetarja e BDI-së Arta Bilalli-Zendeli, është e ftuara e radhës në emisionin PodGo në Telegrafi Maqedoni, me të cilën kemi diskutuar për pozitën e saj të re në parti, VLEN-in, si dhe tema tjera.
Ajo tha se BDI-ja kërkon vazhdimisht zgjedhje të parakohshme, ndërsa tha se pas kongresit ato janë më të fortë se kurrë.
"BDI është më e fortë se kurrë. BDI bëri një hap të guximshëm, me çka dëshmoi se është parti e fortë dhe e orientuar kah e ardhmja, pasi arriti të bëjë reforma në pjesën kadrovike, duke kyçur shumë të rinj. Poashtu bëri një ndryshim të madh pasi vendosi kuotën prej 30 përqind të pjesëmarrjes së gjinisë femërore dhe 10 përqind minimum të rinisë. Risi gjithashtu është se doli me katër rezoluta, e para për ruajtjen e karakterit unitar, e dyta marrëveshja kombëtare për përparim, rezoluta e tretë për pavarësinë e gjyqësorit dhe rezoluta e katërt për integrimin e RMV-së në Bashkimin Evropian".
"Uroj që zgjedhje të ketë sa më shpejt. Dëgjohet se ky vit do të jetë vit zgjedhor. Edhe në buxhetin që është hartuar në Kuvend, kam dëgjuar disa deputetë që merren me çështje ekonomike thonë se ky buxhet është buxhet për zgjedhje. BDI vazhdon të kërkojë zgjedhje parlamentare", tha nënkryetarja dhe ish-deputetja e BDI-së.
Ajo foli edhe për pakënaqësitë pas kongresit të partisë, ndërsa rikujtoi atë që ka thënë Ali Ahmeti.
"Kishte disa pakënaqësi, por ata persona që shprehën pakënaqësi më pas edhe kërkuan falje. Ata persona që shprehën pakënaqësi nuk ka informacione se kanë lëvizur nga BDI. Ndërsa e tha edhe kryetari se ata që janë hidhëruar për funksione lirisht të largohen", tha Bilalli-Zendeli.
Sa i përket votimit të projektit Safe City dhe deputetëve të Frontit Evropian që i përkrahën ndryshimet ligjore, ajo tha se kjo duhet të mbetet në ndërgjegjen e deputetëve.
"Bejxhan Iljas ka më shumë se gjashtë muaj që është larguar nga Fronti, ndërsa Ilir Demiri pak më vonë. Le të ngelet në ndërgjegjen e tyre, të cilët votuan kundër pjesës dërmuese të deputetëve të Frontit Europian", tha nënkryetarja e BDI-së.
Kurse sa i përket VLEN-it, ajo theksoi se ata nuk e ngrisin zërin për asnjë të drejtë të shqiptarëve.
"Janë mashë në duart e OBRM-PDUKM-së, nuk e ngrisin zërin për asnjë të drejtë të shqiptarëve, në pushtet nuk kanë hyrë për ta kritikuar BDI-në, apo për t'i vazhduar ato procese për të cilat vazhdimisht na kanë kritikuar. Kanë mungesë të guximit dhe mundësisë", tha ish-deputetja e BDI-së./Telegrafi/


