Please enter at least 3 characters.

Arsenali në telashe para javës vendimtare - pesë lojtarë kyç në dyshim

Përgatitjet e Arsenalit për një javë vendimtare të sezonit janë tronditur, pasi pesë lojtarë kyç nuk morën pjesë në stërvitjen e së martës.

“Topçinjtë” luajnë të mërkurën mbrëma ndeshjen e kthimit në çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Sportingut, ndërsa të dielën i pret një tjetër sfidë e madhe: derbi i Ligës Premier kundër rivalëve për titull, Manchester Cityt, raporton Daily Mail.

Mungesat rrisin shqetësimet para ndeshjeve të mëdha

Seanca e së martës u zhvillua pa Riccardo Calafiorin, Martin Odegaard, Declan Rice, Bukayo Saka dhe Jurrien Timber.

Nga këta, vetëm Rice luajti në humbjen e së shtunës në kampionat ndaj Bournemouthit (1-2), duke qenë në fushë gjatë gjithë takimit.

Mungesa e Rice në stërvitje nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai nuk do të jetë gati për Sportingun, por mbetet një sinjal shqetësues para një ndeshjeje kaq të rëndësishme.

Arteta nuk jep detaje, pret deri në mëngjes

Trajneri Mikel Arteta nuk dha sqarime për gjendjen e Rice në konferencë për shtyp, i cili ka qenë pika kryesore e Arsenalit këtë sezon.

“Nuk dua të hyj në këtë çështje. Duhet të presim dhe të shohim se si është situata, por ai nuk ka qenë në gjendje të stërvitet”, u shpreh Arteta.

I pyetur për të pesë lojtarët, ai shtoi: “Do të duhet të presim deri nesër në mëngjes për të parë se si është situata me disa nga djemtë”.

Calafiori, Odegaard, Saka dhe Timber kanë munguar edhe javët e fundit, përveç danezit që ka qenë në formacionin titullar në ndeshjet e fundit kur ka qenë i gatshëm. Calafiori ndërkohë u aktivizua si zëvendësues në humbjen ndaj Southamptonit (1-2) në çerekfinale të FA Cup, të shtunën e kaluar.

Lajme pozitive: Hincapie dhe Eze rikthehen në stërvitje

Pavarësisht shqetësimeve, Arsenali pati edhe arsye për optimizëm, pasi Piero Hincapie dhe Eberechi Eze u stërvitën normalisht. Të dy ishin në stol ndaj Bournemouthit, me Eze që hyri në lojë në minutën e 54-të.

Arsenali hyn në ndeshjen e kthimit ndaj Sportingut me epërsinë 1-0 nga takimi i parë në Lisbonë, falë golit të Kai Havertz në kohën shtesë.

Pas humbjes ndaj Bournemouthit, Arteta i kërkoi ekipit të tregojë më shumë forcë dhe shpirt luftarak, pasi po futen në fundin e sezonit, ku Arsenali lufton për dy trofe. /Telegrafi/