Arsenali 'gati të thyejë bankën' për yllin e La Ligës me klauzolë 500 milionë euro
Arsenali është gati të bëjë një investim të jashtëzakonshëm për transferimin e një lojtari që Mikel Arteta e vlerëson jashtëzakonisht shumë, raportojnë mediat.
Pas triumfit në Ligën Premier sezonin e kaluar, i pari për klubin pas 22 vitesh, Arsenali ka qenë mjaft aktiv në afatin kalimtar, duke synuar të mbrojë titullin.
Në mesin e përforcimeve kryesore është Bruno Guimaraes, i cili iu bashkua klubit nga Newcastle për rreth 86 milionë euro, ndërsa anësori Christos Tzolis u transferua nga Club Brugge për rreth 39 milionë euro.
Megjithatë, sipas një raportimi të AS, Arteta dëshiron me çdo kusht të sjellë në skuadër edhe një tjetër lojtar.
Jorge Garcia Hernandez nga AS, pretendon se Arteta mbeti jashtëzakonisht i impresionuar nga mbrojtësi i Atletico Madridit, Marc Pubill, gjatë përballjeve mes dy skuadrave në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar.
Arsenali triumfoi 2-1 me rezultat të përgjithshëm në gjysmëfinale, ndërsa Pubill ishte titullar në të dyja ndeshjet dhe luajti nga 90 minuta.
Paraqitjet e tij në qendër të mbrojtjes thuhet se ishin aq mbresëlënëse, saqë Arteta i kërkoi drejtorit sportiv Andrea Berta që të tentonte transferimin e tij. Madje, raportohet se Arsenali ishte “gati të thyente bankën” për ta siguruar shërbimin e tij.
Megjithatë, një marrëveshje e tillë do të jetë e vështirë, pasi Atletico e vlerëson shumë lojtarin. Pubill ka një klauzolë lirimi prej plot 500 milionë eurosh, të përfshirë në kontratën që nënshkroi verën e kaluar.
Një nga avantazhet kryesore të Pubill është se përshkruhet si një lojtar polivalent, pasi ai mund të luajë në nivel të lartë si mbrojtës i krahut, ashtu edhe në qendër të mbrojtjes.
Ai ishte gjithashtu pjesë e përfaqësueses së Spanjës që këtë verë fitoi Kupën e Botës në New Jersey./Telegrafi/


