Please enter at least 3 characters.

Arrestohet një person për kontrabandë mallrash dhe sulm ndaj policisë në Kaçanik

5:"Kemal

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për kontrabandë mallrash dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë në fshatin Korbliq të Kaçanikut.

Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur më 2 shtator, kur Task Forca e Drejtorisë Rajonale Kufitare Lindje, e përbërë nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, ka tentuar të ndalojë një automjet të tipit Mercedes kombi, të dyshuar për kontrabandë. Megjithatë, shoferi nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe gjatë ndjekjes ka goditur një automjet zyrtar, i cili është rrokullisur dhe ka përfunduar jashtë rrugës.

Nga përplasja kanë mbetur të lënduar tre policë, të cilët kanë marrë trajtim mjekësor në spitalin e Gjilanit dhe më pas janë liruar.

Automjeti i dyshuar u gjet i braktisur pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, i ngarkuar me mall të kontrabanduar. Sipas policisë, u sekuestruan 13 mijë e 500 kuti cigare, 1 mijë e 600 kilogramë fara kungulli të pjekura, 460 kilogramë fara luledielli, 100 kilogramë fara braziliane, 40 kilogramë ananas të tharë dhe 113.4 kilogramë brusnia të thara. Vlera e përgjithshme e mallrave llogaritet mes 23,794 dhe 29,877 euro.

Më 3 shtator, rreth orës 14:00, Policia Kufitare arrestoi të dyshuarin M.S., 46 vjeç, i cili pas intervistimit u dërgua në mbajtje për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Rasti është cilësuar si “Sulm ndaj personave zyrtarë”, ndërsa hetimet për kontrabandën do të vazhdojnë nga Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Kufitare.