Arrestohet një person në Klinë, dyshohet se gjuajti me armë zjarri nga automjeti
Një person është arrestuar në Klinë nën dyshimin për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ishte raportuar më 28 gusht, kur një person dyshohej se kishte shtënë me armë zjarri në ajër nga një automjet dhe më pas ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Njësitet policore kishin dalë në vendin e ngjarjes, ku ishin gjetur katër gëzhoja.
Pas një pune hetimore, hetuesit e Stacionit Policor në Klinë kanë arritur ta identifikojnë të dyshuarin, i cili është arrestuar sot, më 3 shtator 2026.
Gjatë arrestimit, policia ka sekuestruar një revole me gaz dhe një karikator.
Pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të procedohet në procedurë të rregullt.
Rasti është bërë i ditur nga Policia e Kosovës. /Telegrafi/


