Arrestimi i tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës për ryshfet, Rama: Askush mbi ligjin
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas arrestimit të disa zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, duke riafirmuar përkushtimin e Kryeqytetit ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka theksuar se Komuna e Prishtinës do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente.
“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Ai ka shtuar se, në lidhje me arrestimin e zyrtarëve komunalë, institucionet e Kryeqytetit do të veprojnë në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet demokratike.
“Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik”, ka theksuar Rama.
Sipas tij, Prishtina mbetet e hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural nga institucionet e drejtësisë.
“Në këtë frymë, Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar kryetari.
Në fund të reagimit të tij, Rama ka theksuar se parimi i barazisë para ligjit mbetet i panegociueshëm.
“Askush mbi ligjin”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/


