Arrestimi i Belerit, Dendias: Skandal nëse nuk ka prova të pakundërshtueshme, informova përfaqësuesit e BE-së
Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka reaguar sot pas arrestimit të kandidatit të koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Himarë, Fredi Beleri.
Dendias e ka bërë deklaratën nga Stokholmi ku do të mbahet takimi joformal “Gymnich” i Ministrave të Jashtëm të BE-së.
Kryediplomati grek shprehet se nëse arrestimi është bërë pa prova të pakontestueshme, rasti është skandal. Po ashtu, ai bën të ditur se ka vënë në dijeni BE-në për arrestimin e Belerit, më konkretisht përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e Jashtme, Josep Borrell dhe ministrin e Jashtëm të Suedisë, Tobias Billstrom.
"Arrestimi, dy ditë para zgjedhjeve, i anëtarit të minoritetit grek, Fredis Beleris, kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë në Shqipëri, si dhe të një tjetër greku, është skandal nëse nuk ka prova të pakundërshtueshme. E kam informuar përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell për rastin si dhe ministrin e Jashtëm të Suedisë, Tobias Billstrom, i cili mban Presidencën e BE", tha Nikos Dendias në Twitter. /Telegrafi/


