Please enter at least 3 characters.

Analizë: Prishtina gjatë stinorit vjeshtor

2016/01/analiz-euml-prishtina-gjat-euml-stinorit-vjeshtor_hd.jpg

Stinori vjeshtor i ‘dhuroi’ Prishtinës shumë probleme. Fillimi i stinorit ishte i mirë, por më pas erdhën disa rezultate të dobëta. Mbase, çdo ditë shkruhej për pakënaqësitë ndaj trajnerit, Bylbl Sokoli. Ky i fundit kishte ardhur në skuadër për ta kthyer shkëlqimin që e kishte Prishtina para dy edicionesh me Afrim Tovërlanin. Sokoli për ta forcuar edhe më shumë bindjen se po vjen për të ndryshuar Prishtinën, mori katër herë futbollistin më të mirë kosovar, Mentor Zhdrellën.

Tandemi Sokoli në bankë e Zhdrella në fushë, ishte një sinjal që ‘bardhekaltrit’ e kanë marrë shumë seriozisht këtë edicion. Por, ajo çfarë ata treguan për 16 ndeshje, ishte përtej zhgënjimit gjithnjë duke bazuar në pritshmëritë e tyre dhe të opinionit futbolldashës, raporton SportPlus.

Mbrojtja

Në repartin e mbrojtjes, Sokoli në shumicën e ndeshjeve këtë detyrë ua besoi katërshes, Vikotr Kuka, Ahmet Haliti, Liridon Kukaj e Fisnik Ramadanaj. Me këtë mbrojtje, kryeqytetasit arritën të pozicionohen në vendin e tretë sa i përket golave të pranuara. Në 16 ndeshje, Prishtina mori 14 gola. Në disa takime, kontribut në fazën defensive dha edhe Armend Thaqi, që zhvilloi tetë ndeshje. Ndryshe, portieri Kushtrim Mushica nuk ishte në formën më të mirë ashtu siç ka ditur të jetë vazhdimisht. Edhe përkundër kësaj, ‘profa’ kishte besim në të, pasi Mushica i zhvilloi të gjitha ndeshjet (16).

Mesfusha

Trajneri, Bylbyl Sokoli kishte futbollistë me bollëk në mesfushë. Secili më i mirë se tjetri. Mentor Zhdrella, Driton Krasniqi, Azem Ahmeti, Festim Krasniqi, Durim Gashi, Qëndrim Sejdiu, Visar Zogiani e Gentrit Begolli, ishin disa prej emrave tani më të dëshmuar në futbollin kosovar. Mirëpo, ajo çfarë i la të befasuar të gjithë ishte numri i pakët i golave të realizuara nga këta lojtarë. Vjeshtën, mesfusha e Prishtinës e mbylli me shtatë gola të shënuar. Por, me siguri që pranvera do të jetë me e begatshme për ta, pasi qysh tani kanë rezervuar tre mesfushorë, Bashkim Shalën, Betim Haxhimusën e Ylber Ramadanin, që bashkë kanë shënuar tetë gola në këtë edicion.

Sulmi

Dëshpërues ishte fakti se edhe sulmuesit çaluan. Jo që ishte sulmi më i dobët sa i përket favoritëve për titull, mirëpo edhe Istogu që pozicionohet në vendin e dhjetë dhe Drenica në të shtatin, ishin më efikas se kryeqytetasit. Sokoli në vjeshtë kishte tre sulmues në dispozicion, Liridon Latifi, Florim Bërbatovcin dhe Shend Kelmendin. Kjo treshe arriti që gjithsej të shënojë tetë gola. Prishtina stinorin vjeshtor e nisi edhe me sulmuesin, Shkëmbim Salihu, mirëpo ky i fundit u inkuadrua vetëm katër ndeshje, duke u nda nga ky klub para kohe. Edhe në këtë aspekt ekipi është duke punuar shumë, pasi tani më kanë arritur të nënshkruajë me Labinot Osmanin që ka shënuar sa gjithë sulmuesit e Prishtinës në vjeshtë, dhe Altin Merlaku, top shënuesi i Ligës së Parë. Ndryshe, ajo për çfarë duhet të krenohet Prishtina, është disiplina e skuadrës.

Shënuesi

Epiteti i shënuesit më të mirë te kjo skuadër i takoi Liridon Latifit që në 16 ndeshje të zhvilluara, arriti të shënojë katër gola. /Telegrafi/